‘Solidaritet dhe dashuri’/ Kisha Katedrale hap dyert për banorët e prekur nga tërmeti

0
118

Tragjedia natyrore që ndodhi goditi fort njerëzit dhe shtëpitë, por solli edhe një mrekulli, hapjen e zemrave në një garë të paparë solidariteti dhe dashurie për të afërmin e prekur nga fatkeqësia. Madje, ky solidaritet i kapërceu kufijtë dhe përfshiu të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë, si asnjë here më pare.

Edhe Kisha shpejtoi të ofrojë çdo mundësi që disponon për lehtësimin e të prekurve nga tërmeti. Në datë 26 Kryepiskopi Anastas shkoi në qytetin e Durrësit për të qenë afër njerëzve të goditur nga tërmeti dhe kontaktoi me shtabin e emergjencës për të ofruar gjithë  ndihmën e mundshme.

 

Që në fillim Kisha Katedrale e qytetit i hapi dyert për të gjithë, pa asnjë dallim dhe oborri i saj u ofrua për vendosjen e çadrave, duke qenë hapur 24 orë pa ndërprerje. Po kështu ndodhi edhe me mjediset e Akademisë Teologjike, të kishës së Shën Vlashit dhe të skitit të Miroprurëseve, të cilat mikpritën dhjetëra të prekur nga tërmeti, ndërsa Radio “Ngjallja”, pa ndërprerje, nxiste dhe vazhdon të nxisë për mbështetje konkrete.

Veçanërisht Rinia Orthodhokse është vënë në lëvizje për mbledhjen e ushqimeve, përgatitjen dhe shpërndarjen e tyre, si dhe për mbledhjen e ndihmave monetare, veshjeve etj. Gjithashtu të rinjtë, studentët e shkollave të kishës dhe klerikët u vunë në shërbim për të ndihmuar njerëzit e strehuar me çdo mënyrë.

 

U krijua edhe një shtab i posaçëm i drejtuar nga Mitropoliti i Apollonisë, Hirësi Nikolla, për të koordinuar ndihmën në të gjitha aspektet e saj. Kështu, mbi 130 persona u strehuan në Manastirin e Shën Vlashit dhe mjediset e tjera të tij, ku iu siguruan kushte të mira strehimi, ushqim në mencën e shkollës etj. Disa dhjetëra persona u strehuan në mjediset e Katedrales së Durrësit, ndërsa në kishat orthodhokse mblidheshin ndihma për të dëmtuarit. Një numër llogarie u hap nga Kisha jonë për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë me vlera monetare.

Ky impenjim është i vazhdueshëm dhe do jetë konkret edhe në të ardhmen. Ai mbështetet edhe nga solidariteti i Kishave të tjera Orthodhokse dhe të krishtera, që nëpërmjet mesazheve drejtuar Kryepiskopit Anastas dhe autoritetve kanë shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre.

Në orët tronditëse të sprovës, zgjohen brenda nesh ndjenja fisnike dhembshurie, mirësie, dashurie, të cilat qëndrojnë të strukura në xhepat e shpirtit njerëzor. Të mos i lëmë t’i zërë gjumi përsëri. Përkundrazi, le të kujdesemi t’i përdorim për të fuqizuar solidaritetin social, respektin e ndërsjellë dhe mbështetjen mes popujve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here