Inxhinieri Arben Meçe foli me tone të ashpra në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, që po zhvillohet këtë pasdite nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, dëmet e këtij tërmeti do të jenë mjaft të mëdha, mbase mbi 500 milionë, duke shtuar se Durrësi sot është në gjendje katastrofike.
“Paraqitem si një ushtar, që shteti më ka thirrur në mobilizim. Nuk përfaqësoj askënd, vetëm veten time. Jemi një shtab që ka vetëm një detyrë, komiteti i Rindërtimit. Kemi një orë e gjysmë që po harxhojmë kohë. Situata në terren është emergjente në kuptim të kërkesave të qytetarëve. Këtu po diskutohet transparenca, por qytetari kërkon siguri. Ajo që duhet të transmetojmë urgjentisht te qytetari është besueshmëria. Përgatituni për një dëm mbi 500 milionë euro z.kryeministër. Ato që do të mblidhen këtu është ‘hiq’ përpara dëmit që do përballojë Shqipëria.
Po goditet besueshmëria ndaj shtetit, ndaj dhe unë kam ardhur këtu që të fuqizojë besueshmërinë ndaj shtetit. Jemi futur në një fazë që i përket rindërtimit, puna ka filluar, por njerëzit duhet të jenë aty ku vërtet është dëmi.
Mua më keni në dispozicion pa dallim, pa asgjë. Këtë shtab unë e shoh shtab lufte, sa më i organizuar të jetë ky dhe sa më tepër skemën e çojmë në terren, deri në qelizë, atëherë jemi të besueshëm, transparenca e fondeve është e fundit gjë”, tha inxhinieri.