“Të gjithë bashkë për Shqipërinë”/ Greqia organizon fushata për mbledhjen e ndihmave në të gjithë vendin

0
133

Në këto ditë tragjike për shqiptarët, grekët po ndihen më të afërt se kurrë me dhimbjen tonë, duke qënë një nga vendet e para që iu gjendën pranë Shqipërisë menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Qytetarët grekë po organizojnë fushata solidarizimi për mbledhjen e ndihmave dhe vlerave monetare për të prekurit nga tërmeti.

Pothuajse çdo ditë prej vendit fqinj nisen ekipe specialistësh që të japin edhe ata kontributin e tyre në përballimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar.

Ndër të parët që reaguan, ishin ultrasit e ekipeve më të mëdha të Greqisë.

PAOK, AEK, Panathinaikos, Aris e të tjerë, përveç mesazheve të solidaritetit, organizuan edhe fushata për mbledhje ndihmash humanitare.

Grekët këto ditë ndihen shumë afër me shqiptarët dhe po dëshmojnë një frymë të lartë solidariteti.

Televizioni grek, ‘Skai’, organizon të martën një fushatë të madhe për grumbullim ndihmash, që më pas do të dërgohen në Shqipëri.

Nën moton “Të gjithë bashkë mundemi për Shqipërinë”, televizioni Skai njofton se në gjithë Athinën do të jenë hapur tetë pika grumbullimi që do të funksionojnë nga ora 9-15.

Fushata të tilla po organizohen këto ditë në të gjithë Greqinë.

Edhe vetë shqiptarët e Greqisë u aktivizuan që në momentet e para duke mbledhur e dërguar ndihme në atdhe.

Mbështetja e Shqipërisë në këto momente të vështira i shërben Greqisë edhe për të dëshmuar aftësinë e menaxhimit të situatave emergjente, siç deklaroi kryeministri Mitsotakis në kongresin e partisë së vet, Demokracia e Re.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here