Kur nuk ke fjalë, por gjen strehë te një lutje, një shpresë dhe një AKUZË

0
201

Nga Gëzim Saliu

Sot, 11 ditë nga tërmeti tragjik i orëve të para të mëngjesit të 26 nëntorit. Një përzierje deri diku e pakuptimtë ndjenash ka mbërthyer çdo shqiptar këto ditë, shumë më shumë ata që u prekën drejtpërdrejt nga kjo tragjedi dhe të tjerë që ja ndjenë pasojat, të cilat padyshim do lenë gjurmë të pashlyeshme tek secili prej nesh.

Të tronditur, frikësuar e mbushur me pikëllim sa më s’ka. Si një gjamë që vjen krej papritur e godet fort me dhimbjen që shkakton,  ashtu edhe ai përbëndësh i nëntokës tundi në befasi shqiptarët, duke marrë 51 jetë të pafajshme.

Mes tyre fëmijë, që ende prisnin të hidhnin hapat e para të jetës, të shijonin të mirat e gëzimet që ashtu si secilit prej nesh do i takonin medoemos, qoftë edhe hidhërimet apo momentet e palumtura që jeta sjell. Por nuk ndodhi kështu, engjëjve ju ndërpre çdo gjë ende pa nisur!

Mes tyre prindër, që kishin sakrikuar pa fund për të ardhmen e familjes, që dhanë çdo gjë nga vetja për fëmijët e tyre, që luftuan fort çdo ditë për një jetë më të mirë e që tani prisnin të shijonin frytet e gjithë kësaj sakrifice. Por nuk ndodhi kështu, çdo gjë atyre ju ndërpre në mes!

Mes tyre gjyshe e gjyshër, që më shumë se sa bijat e bijtë e tyre, kishin vuajtur mbi supe kohë të vështira, kohë ku jetesa ishte në kushtet minimale, kohë ku edhe fjala censurohej. Tani ato prisnin të shijonin pleqërinë me familjen e mbushur plot me nipër e mbesa. Por nuk ndodhi kështu,  edhe atyre nuk ju la as fundi i lumtur që ta jetonin!

Ka qenë tepër e vështirë këto ditë edhe për vetë ne gazetarët që të përcjellim tek qytetarët atë që në fakt e kemi për detyrë ta bëjmë: Lajmin! Përtej punës gati heroike të të gjitha mediave, kryesisht gazetarëve të terrenit, nuk kishe se si në këtë situatë tragjike, mos ndjeheshe i humbur, i pafuqi, pa fjalë e pa tekst. Krejt e paimagjinueshme, gati apokaliptike pamja që servirej në ekrane, banesa e pallate të kthyera në gërmadha.

E kjo përhumbje vajtuese e ndërthurur me ankth për çdokënd që u prek nga dridhjet e tokës që vazhduan për ditë me rradhë, shtohej edhe më shumë kur në ato gërmadha, nga trupat heroike të shpëtimit vendase e të huaja, nxirreshin qytetarë. A thua se na kishin bombarduar! Brohorima gëzimi kur dilnin prej aty, shqiptar, gjak i joni me shenja jete! Dhimbje pa fund në rastet kur barrela përcillte trupat e pajetë nga gërmadha drejt autoambulancës.

Tejmase tragjike!

Ku t’i gjesh fjalët të përshkruash humbjen e familjes Lala, që u shua nga tërmeti!  Nënë Fiqiretja ishte personi i nëntë që humbi jetën nga kjo familje, dhe jo si pasojë e tërmetit, por nga dhimbja e madhe kur mori vesh se 8 familjarët e saj kishin vdekur.

Ku t’i gjesh fjalët të përshkruash humbjen e familjes Cara. Lëkundjeve të tmerrshme sizmike i shpëtuan vetëm Alberti, i vëllai i tij dhe vajza e xhaxhait, Lindita Cara. Nusja e vëllait me tre fëmijët e të fejuarën e djalit, nusja e xhaxhait dhe mbesa e saj u ndanë nga jeta në mënyrën më tragjike, nën rrënojat e një prej tre pallateve që u shembën totalisht në Thumanë.

Ku t’i gjesh fjalët për Dienën e pafat në këtë jetë! Ajo së bashkua me të ëmën dhe të bijën vetëm 8-vjeçe ishin viktima të tërmetit tragjik. Vite më parë Diena kishte humbur bashkëshortin dhe nga ajo kohë kishte vetëm një qëllim në jetë: lumturinë e vajzës së saj. Por jeta i kishte rezervuar asaj një fund tragjik. Edhe pse doli e gjallë nga rrënojat, ku për 12 orë me radhë mbante në krah të bijën e pa jetë, Diena nuk mundi të mbijetonte.

Ku t’i gjesh fjalët për Klementin, i cili kishte vetëm dy ditë që ishte kthyer në atdhe nga Anglia, për të festuar fejesën e të vëllait. Por tërmeti nuk ja dha mundësinë e këtij gëzimi!

Ku t’i gjesh fjalët për dy vëllezërit nga Kosova që ishin në Durrës për të punuar, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike me të cilën përballeshin familjet e tyre.

Ku t’i gjesh, ku t’i gjesh, ku t’i gjesh…

Nuk ka fjalë që mund të ngushëllojë sot familjarët e viktimave të tërmetit. E megjithatë lutja kurdoherë ndodh, është e gjithëpranuar. E ndaj sot të gjithë ne duhet të lutemi për shpirtrat e 51 viktimave të tërmetit tragjik, duke kërkuar paqe për ta!  Sado mund të pohojmë se pak nga pak do i kthehemi normalitetit dhe monotonisë së përditshmërisë, ATA do i kemi të pamundur t’i harrojmë. Jo vetëm në çdo datë 26 nëntori, por me siguri do jenë rrënjosur thellë në vetëdijen tonë si shenjë e pasigurisë së jetës dhe dhimbjeve tragjike që ajo të detyron të kalosh.

Më pas vjen solidariteti! Si asnjëherë më parë, shqiptarët këndej dhe andej kufirit u bënë bashkë duke dhënë ndihmë të pakursyer për të gjithë të prekurit e tërmetit tragjik. Një solidaritet i pamatë! I gjithë ky bashkim mes nesh, padyshim përbën anën më pozitive të situatës fatkeqe që po kalon vendi ynë. Vështirësitë e rimëkëmbjes janë të mëdha, por ne duhet edhe një herë të dijmë të tregojmë se huk dorëzohemi! Po pikërisht NE, se ata sipër nesh që ngrohin xhepat e karriget, do vazhdojnë sërish avazin pas pak kohësh!

Por përtej lutjes e solidaritetit, sot është kohë për AKUZA! Dhe nëse mëshira personifikon lutjen, e pamëshirshmja duhet të jetë devizë e akuzës ndaj atyre që në kurriz të sigurisë së jetës së qytetarëve përfituan personalisht apo ne emër të dytëve dhe të tretëve, duke ndërtuar pallate, hotele e banesa pa standarde.  Tërmeti është një fatkeqësi natyrore dhe aq më tepër i paparashikueshëm por përgjegjësia duhet të nxirret në ato raste ku dora e njeriut ( pra punimet pa kualitet) sollën viktima dhe rrezikuan nga ana tjetër mijëra jetë. Kujtojmë se janë shpallur 1831 ndërtesa të pabanueshme e ndërsa midis tyre ka qindra pallate e banesa të reja që normalisht sipas çdo eksperti të fushës nuk duhej të ishin në gjendjen në të cilën janë aktualisht.

Hetimet kanë nisur dhe këtë herë shpresojmë se do ketë DREJTËSI! Nuk mundet asesi që ndërtues, financues e firmëtarë të  ndërtimeve skandaloze t’ja hedhin paq.  Çdo ndërhyjre politike në mbështetje të këtij grupimi, i cili në gjithë këto vite krahët i ka pasur të ngrohta pikërisht nga pushteti, duhet të denoncohet dhe ndiqet penalisht nga organi i akuzës.

Nëse do ndodhë e kundërta, jo vetëm që do rrëzohet edhe ajo pak besueshmëri publike që ka ngelur tek drejtësia shqiptare, por ky veprim do jetë i barazvlefshëm me shkeljen mbi gjakun e atyre që u gjetën të pajetë në gërmadha.  Dhe kjo nuk ka sesi të FALET!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here