Pa kokë, pa këmbë, nëpër hapsanën e quajtur Atdhe!

0
225

NGA Zhaneta Barxhaj

Kjo stinë dimri nuk trokiti me dëborë, siç i ka hije! E përzuri dhunshëm vjeshtën, e me gjethet e rëna shkaktoi dramën e rradhës për Shqipërinë e madhe, që mbeti e vockël e vockël, sa vetë shpirti i atyre që e kanë uzurpuar, që kur s’mbahet mend! Këto ditë të trazuara me dhimbje, panik e trishtim, për shumë e shumë ngjarje, të cilat ne që jetojmë brenda këtyre kufijve shtetëror të kombit të madh i dimë fare mirë, më ka shqetësuar si gjembi nën këmbë një e vërtet e frikshme… Ne jemi vendi i vetëm në botë, që kemi një indiferencë të frikshme ndaj jetës sonë. Jeta konsiderohet si plaçkë, që mund t’ia falësh kujtdo, në emër të disa interesave shumë të vogla dhe meskine. Njerëz që bëjnë show, që vjedhin, që vjellin vetëm vrerë dhe urrejtje nga goja, që harrojnë se dera e tyre është e hapur para së keqes, pavarësisht pushtetit, ndërkohë që e vërteta vazhdon të kërkoj azil politik! Njerëz që e kanë ndërtuar jetën në telefon e facebook, që shajnë e mallkojnë dhe kështu lehtësojnë ndërgjegjen se sulmuan apo mbrojtën siç duhet, sipas lojës dhe skuadrës ku janë. Qytetarë pa dinjitet qytetari, të kthyer në puthadorë si zoombi të pashpirt. E gjithë lufta e tyre është fb dhe gjithë rrjetet e tjera! Jo, sheshi duhet të ishte revolta jonë, e drejta jonë për gjithë ata zëra të mbytur që ose vdesin, ose arratisen! Asnjë fjalë, asnjë mbështetje për grevën e minatorëve të minierës më të pasur, por që në mënyrën më paradoksale janë njerëzit më të varfër, asnjë revolt për të vënë drejtësi pēr viktimat e 26 Nëntorit! Asnjë lëvizje, në mbrojtje të atyre që lënë vendin nga kërcënimet, në një vend që aderon të jetë pjesë e BE-së. Asnjë për be, asnjë revoltë, për gjithë problemet që po na shembin tavanin mbi kokë! Kjo situatë pa kokë pa këmbë, është e frikshme, duhet të na trondiste e të mbushnim rrugët, njësoj si frika nga tërmeti, se ky është tërmet edhe më i madh! Po na shkërmoqet Kombi, ai që duhet t’i lëmë trashëgim fëmijëve tanë, ai që e kemi amanet nga burrat dhe gratë e mençur tē tij, ai që duhet tē jetoj edhe pas nesh! E çfarë bëjmë ne!? Bëjmë sehir, si njerëz të gjymtuar në tru, dhe presim se kush po na shpëton nga kjo e keqe, që ja dimë të gjithë ku e si i ka rrënjët! Në vend që të sajojmë, shpikim të mbushemi me urrejtje e të ndahemi në llogore ne dhe ata (pushteti), duhet të ngrihemi, e kush me shat e me lopat ashtu siç e mbollëm, ta shkulim rrënjën e së keqes, që po na ha sytë përditë! Ka kaq shumë për të thënē, por tani ka ardhur koha e veprimit, nëse do ua lëmë prapë në dorë atyre që e kanë pas për 75 vjet, me shpresën se ujku do e ndërroj edhe zakonin pas qimes, më mirë të pregatisim qivuret me duart tona, ose të marrim nga sytë këmbēt udhët e botës! E meqë jemi prapë te udha, më ka shokuar reagimi i shumë njerëzve, mbi azilin politik të një prej intelektualëve dhe mbi të gjitha të njeriut model të këtij vendi! Nga më të paktët burra që i doli së keqes pakompromis, duke na lënë një boshllëk të madh në kauzën e së drejtës! Për gjithë skeptikët e thashethemxhinjtë, të cilët nxjerrin vrer për këdo, por harrojnë që floririn sado ta mbulosh me pisllëqe ai prapë shkëlqen, dua t’u them: Mos vallë skenari i këtij burri që nuk tutej, ishte thurur me Brahot me komapani?? Se nuk shpjegohet ndryshe ndihma që i bën, duke e kërcënuar sërisht pas ikjes apo jo??? Apo mos vallë diktatura, duke mos pasur frikë nga ju, se e kanë të qartë që nuk reagoni, se e keni zakon të gjykoni vetëm viktimën, mori padashje përsipër krimin, njësoj si terroristët e Isis-it?? Vallë vërtet mendoni, se njē njeri i kalibrit të tij e kishte vēshtirë të siguronte një kontratë pune kudo, e të ikte si zotëri siç lëvizin shumë intelektualë?? Por, ju e dini që nuk ishte kështu, se kurrë nuk do ta linte misionin e tij në mes, se nuk ishte nga ai soj burri… e trimin ju nuk e pranoni dot në gjirin e diktaturës, e cila duhet të prodhoj vetëm frikë dhe burrecër. Nëse nuk keni guxim të revoltoheni, t’i kërkoni prokurorisë të arrestojë këta banditë që kërcënojnë hapur, të paktën mos flisni.. siç thotë populli, ji budalla sa të duash, po mos jep shembullin e keq! Dhe pyeteni veten dhe udhëheqsin e diktaturës, si ka mundësi që ja bëri këtë nder Tufës, apo humbi kontrollin??! P.s. Sot duhet të veprojmë, të ngrihemi të gjithë bashkë e të kërkojmë drejtësinë e munguar në gjithë këto vite… nesër, vetëm kryqet tona do ngelen si shenjë e frikës dhe paaftësisë për të dal zot të vetes, vendit dhe lirisë! Ujku nuk e ndërron zakonin me ngjyrën e qimes….Ne, duhet ta zbojmë ujkun përfundimisht nga stanet tona, se po bën kërdinë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here