Fadromat e IKMT-së kanë shembur paraditen e sotme godinën numër 15 në Qytetin Studenti. Pas ekspertizës, ajo ishte vlerësuar e pabanueshme pasi ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
Në atë godinë jetonin më shumë se 30 familje, të cilët u nxorën jashtë nga objekti që u shemb, ndërsa kanë pretenduar vazhdimisht se Bashkia e Tiranës nuk iu ka dhënë asnjë zgjidhje për strehimin e tyre.
Godina u shemb me fadromë dhe jo me tritol për shkak se zona është e populluar, si dhe për të shmangur dëmtimet në godinat e tjera që gjenden rrotull.
Ndërkohë pritet të shembet edhe godina numër 18 nga IKMT në Qytetin Studenti.
Banorët kanë pretenduar se pas këtyre shembjeve fshihet një aferë korruptive, që synon ngritjen e ndërtimeve të reja në këtë zonë.