Masakra e 15 janarit e vitit 1999, njihet si ngjarja e cila ndryshoi fatin e Kosovës gjatë luftës së fundit. Por ditët e fundit, presidenti i Serbisë Vuçiç e ka quajtur të gënjeshtër këtë masakër, ç’ka ka nxitur reagime të shumta, dhe në mesin e përfaqësive diplomatike.
Çfarë ndodhi në masakrën e Reçakut:
Në orët e para të mëngjesit të datës 15 janar 1999, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.
Në atë ditë në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.
Të nesërmën me 16 janar, kishin arritur edhe mediat ndërkombëtare të cilat përcollën pamjet që tmerruan gjithë botën, ndërsa një nga pamjet më të dhimbshme ishte ajo e një fëmiju i cili shihet duke qarë tek sa sheh familjarët e tij të vrarë.