Inxhinieri i strukturave nga Rumania Cezar Aanicai deklaroi se situata pas tërmetit në Shqipëri i duket e rëndë. Çarja e mureve në ndërtesa si në Shqipëri nuk ka parë askund.
“Dua të qartësoj diçka, unë jam inxhinier strukturash. Kam pasur një aktivitet didaktik prej 25 vitesh e jam përfaqësues i qeverisë së Rumanisë, pjesë e Inspektoratit Shtetëror të Strukturave. Nuk jam sizmolog, që t’ju flasë nëse do të ketë lëvizje tektonike. Tërmetet në sipërfaqe janë të vështira dhe ky ishte një tërmet me sipërfaqe të pakët e ka pasur edhe pasoja të rënda. Çdo tërmet ka disa gjatësi valës, të cilat udhëtojnë me shumë kilometër. Tërmetet në Rumani lejojnë që strukturat të sillen në mënyra të ndryshme, sepse lëvizin sipas valëve. Në rastin e Shqipërisë, kemi pasur valë 10 km në thellësi e këto valë shkatërrojnë shpesh strukturat. Nuk kam parë kurrë çarje të tilla”, tha ai.
“Kam mbetur i habitur se nga jashtë ishte mirë, por kur hyje në brendësi ishte katastrofë. Disa ndërtesa kanë çarje të dukshme. Probleme kanë qenë katet e sipërme. Në Vorë kam parë dy ndërtesa shumë të shkatërruara, pasi kishin dëmtime në strukturë. Në vlerësimin tim, disa ndërtesa atje nuk duhet të përdoren më. Duhet vendim për shkatërrim ose rindërtim. Personat nuk mund të qëndrojnë në këto ndërtesa, pasi rreziku është i lartë”, deklaroi eksperti nga Rumania./balkanweb