Hetim e ndëshkim për viktimat e tërmetit

0
122
Nga Kastriot Islami 

Edi Rama kontrollon gjithçka. Ai kontrollon plotësisht edhe pushtetin qendror edhe pushtetin vendor. Për më tepër ai gjendet në krye të qeverisë prej 6 vjetësh ndërkohë që ka qenë në krye të bashkisë së Tiranës për 11 vjet radhazi.

Prandaj hetimet për pasojat e 2 tërmeteve të fundit, të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit, duhet të nisin me përgjegjësitë direkte dhe indirekte të Edi Ramës. Të gjithë drejtuesit e ministrive apo të bashkive Durrës, Tiranë, Kurbin, Lezhë e tjerë duhet të hetohen si bashkëpunëtorë klientelistë të Edi Ramës.

Konkretisht hetimet duhet të nisin për shkak të numrit shumë të lartë të viktimave, 51 qytetarë të pafajshëm sepse ky numër me shumë gjasa mund të ishte shumë më i reduktuar. Thënë në shkoqur e troç, numri i viktimave mund të ishte shumë më i ulët se 51 nëse vendi do të drejtohej nga një qeveri e aftë dhe e përgjegjshme. Tre pistat e hetimit që do të duhet të niste prokuroria do të ishin:

a) Mungesa e reagimit efikas menjëherë pas rënies së tërmetit. Për shkak të mosngritjes të njësisë së menaxhimit të emergjencave ka munguar reagimi i menjëhershëm i strukturave adekuate pas tërmetit të datës 26 nëntor 2019 duke ulur shanset e shpëtimit të qytetarëve nën rrënoja, operacione që kanë nisur vetëm pasi kanë ardhur operacionet e kërkim-shpëtimit nga vëndet e tjera. Kjo është përgjegjësi direkte e Edi Ramës jo vetëm si drejtues i qeverisë por edhe si personi që kontroll gjithçka. Nëse Shqipëria do të posedonte një strukturë operacionale të kualifikuar të kërkim-shpëtimit, me shumë gjasa disa prej qytetarëve do të mund të kishin shpëtuar…sepse dihet që me kalimin e 24 orëve të para shanset e mbijetesës nën rrënoja ulen në mënyrë të ndjeshme, aq më tepër nëse bëhet fjalë për fëmijë, të moshuar apo individë me sëmundje të ndryshme.

b) Papërgjegjshëmria në ndjekjen e pasojave të tërmetit të 21 shtatorit 2019. Tërmeti i 21 shtatorit, ndonëse ishte më pak i fuqishëm sesa i 26 nëntorit duhet të përbënte një sinjal alarmi për qeverisjen qendrore e vendore, dhe në mënyrë më direkte për Edi Ramën. Por as Edi Rama dhe asnjë strukturë tjetër nuk i trajtoi me seriozitet e përgjegjshmëri pasojat e tërmetit të 21 shtatorit. Konkretisht në Thumanë, disa pallate ku gjetën vdekjen disa qytetarë në 26 nëntor 2019 ishin shpallur të pabanueshme pas tërmetit të 21 shtatorit por asnjë masë konkrete nuk ishte marrë, as për të zhvendosur banorët e tyre, as për të penguar që ata të jetonin në pallatet e pabanueshme. Kush e mban përgjegjësinë e vdekjes së të viktimave të gjendura nën rrënojat e këtyre pallateve?! Vdekja e qytetarëve në këto pallate të deklaruara ta pabanueshme, duhet hetuar sepse nuk ka asnjë dyshim se humbja e këtyre jetëve do të ishte shmangur. Dhe ky hetim duhet të nisë nga Edi Rama, që bënte shou edhe pas 21 shtatorit edhe vazhdon spektaklin edhe pas 26 nëntorit.

c) Korrupsioni në dhënien e lejeve të disa pallateve të ndërtuara pas vitit 1990 ku gjetën vdekjen disa nga qytetarët. Nuk ka më asnjë dyshim se një nga arsyet e vdekjes së disa qytetarëve në Durrës e gjetiu ka ardhur nga cilësia e dobët e disa ndërtesave të pas viteve 1990, pra nga korrupsioni në dhënien e lejeve të ndërtimit në Tiranë, Durrës e gjetiu. Në këto raste nuk janë zbatuar minimalisht rregullat antisizmike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi, për më tepër ndërtimi i tyre është orientuar nga babëzia për të fituar maksimalisht. Ndërkohë që të gjithë ekspertët kanë përsëritur gjatë këtyre ditëve se ‘nuk vrasin tërmetet por ndërtesat e keqndërtuara’…media ndërkombëtare është dominuar nga titujt se ‘tërmeti në Shqipëri nxorri lakuriq korrupsionin në ndërtime…’. Kjo është një arsye tjetër që numri i viktimave është rritur për shkak të korrupsionit me lejet e ndërtimit. Dhe në këtë aspekt përgjegjësia është e drejtpërdrejtë e Edi Ramës.

Më shumë gjasa numri prej 51 viktimash do të ishte shumë, shumë më u ulët, për të mos thënë afër zeros. Arsyeja kryesore lidhet me paaftësinë e papërgjegjshmërinë e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, për më tepër që një sinjal i parë, u dha dy muaj më pare, në 21 shtator 2019 dhe Edi Rama s’mori asnjë masë. Vetëm kjo do të mjaftonte për të filluar hetimet për humbjen e 51 jetëve dhe nxjerrjen e përgjegjësisë direkte për Edi Ramën dhe bashkëpuntërorët e tij.

Në planin moral e politik, s’ka asnjë dyshim, se përgjegjësia e Edi Ramës, si kryeministër, është shumë e rëndë, madje aq e rëndë sa dorëheqja do të ishte reagimi minimal ndaj këtij mëkati që ka shkaktuar viktima. Është e turpshme që Rama, përgjegjësi kryesor për numrin e lartë të viktimave vazhdon shoun e mashtrimeve duke llomotitur për rindërtim.

*Autori i shkrimit ka qenë drejtues i Grupit të Menaxhimit të Emergjencës (GME) të krizës humanitare të krijuar në Shqipëri nga ardhja e rreth 500 mijë shqiptarëve të Kosovës të dëbuar nga Millosheviçi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here