Pesë vjet e 10 muaj, 19 ndeshje radhazi pa një buzëqeshje kundër rivalit më të madh, por më në fund Tirana ka arritur një fitore, një sukses të jashtëzakonshëm që do të mbahet mend gjatë jo vetëm sepse erdhi pas një serie tejet negative, por sepse ishte dhe ndeshja e parë në stadiumin e ri të kryeqytetit, që sot në shkallët e tij kishte rreth 19 mijë tifozë, një rekord absolut.
Që do jetë një ndeshje ndryshe nga të tjerat kuptohet menjëherë. Tirana është më agresive dhe dy ish-ët e kuq, Batha dhe Torrasa, që janë më të ingranuarit në ekipin bardhelu.
Pikërisht nga ata vjen goli i parë. Në minutën e 8-të Torrasa i vjedh topin Romeros, harkon në zonë në shtyllën e dytë, aty ku Batha godet në mënyrë kirurgjikale me kokë duke çuar peshë zemrat e tifozëve bardheblu që janë menjëherë pas tij.
Por Partizani reagon mjaft shpejt dhe dy minuta më pas, Jurgen Bardhi shënon pas një këmbënguljeje të gjatë, ku anësori nuk dallon pozicionin jashtëloje të Solomon. Por kjo pak rëndësi sepse të kuqtë barazojnë pavarësisht pritjeve të njëpasnjëshme të Likës.
Gjithsesi në këtë pjesë loje Tirana është më mirë sesa Partizani, që vuan shumë gabime e mesfushorëve, sidomos të Romeros dhe Hysenit.
Në pjesën e dytë Lerda largon Solomon për çinarin dhe të kuqtë fitojnë më shumë metra dhe më shumë rrezikshmëri, me Tiranën që qëndron e kujdesshme në prapavijë. Alesio Hyseni detyron Likën në një pritje të rëndësishme në 55-ën, ndërsa Kobina në të 73-ën ndalet nga shtylla e Hoxhës pas një gjuajtjeje të devijuar.
Partizani është më i avancuar dhe kërkon golin e fitores, të cilin e shpërdoron në mënyrë të pabesueshme Jurgeb Bardhi, që me kokë në të 83-ën e nxjerr topin jashtë.
Por goditja e madhe do të vijë nga bardheblutë. Sërish Romero humbet një top dhe i jep Tiranës mundësinë e kundërsulmit. Muçi godet në diagonale, Hoxha grushton, por Kobina ndjek aksionin dhe realizon golin e avantazhit. Festë e çmendur te bardheblutë me autorin e golit që del me karton të kuq pas festës së ekzagjeruar.
Partizani kërcënon dy herë të tjera në shtesë, fillimisht me Trashin, e majta e të cilit del ngjitur me shtyllën dhe pastaj me Bardhin që nuk ka koordinatat e duhura. Por duket se në këtë të premte datë 13, fati ka braktisur të kuqtë. Do të mbyllet 2-1 për Tiranën, e cila i jep fund makthit të saj më të madh dhe rikthehet të dominojë derbin e kryeqytetit./BW