Martesa u zgjati vetëm 5 ditë, dalin dëshmi të reja për çiftin fatkeq…

0
277

Këpucët ngjyrë gri me xixa të rreme dhe me pak takë, kanë mbetur në dhomën e gjumit. Rezarta Hajdari i veshi ditën e dasmës për t’i kombinuar me fustanin e bardhë. Këpucët me numër 38 janë pranë një palë këpucëve të tjera, që nusja e re i ka veshur në fshat. Mbi komonë me pasqyrë gjendet certifikata e vajzërisë së saj. Lart vulës së njomë lexohet datëlindja në vitin 2001, vendlindja Elbasan dhe vendbanimi në fshatin Fushë Buall. Në certifikatë nusja e re mban ende mbiemrin Xibrraku, një mbiemër me të cilin ajo prezantohet ende edhe në faqen e “Facebook” që e ka hapur mbrëmjen e dhjetë dhjetorit.

Certifikata e Rezartës dhe këpucët e saj

Dy ditë pasi është martuar me Olsi Hajdarin, 19 vjeçarja ka hapur faqen në “Facebook” duke hedhur foto me bashkëshortin dhe pikërisht aty pret edhe urimet nga shoqëria e saj. Martesa e Rezartës me Olsin zgjati pesë ditë. Ditën e pestë ajo nuk u zgjua. U gjet e vdekur. I shoqi Olsi Hajdari shtrirë përkrah saj me shkumë në gojë, në gjendje të rëndë dhe aspak në gjendje për të treguar se çfarë kishte ndodhur. Policia e cila kqyri dhomën dhe shtëpinë në Xhyrë nuk gjeti gjurmë të helmit që mund të jetë përdorur, çka e bën të dyshimtë dhe të pashpjegueshme rrethanat se çfarë ndodhi në dhomën e çiftit mesnatën e të premtes duke zbardhur e shtuna.

Në shtëpi gjendeshin edhe dy prindërit e Olsit, Bukuria dhe Dilaveri. Ata ishin në dhomën tjetër dhe këmbëngulin se nuk kanë dëgjuar asgjë. Bukuria tregon se “çifti nuk po zgjohej dhe se kishte pyetur të shoqin pse nuk po zgjohen?”. Dilaveri i është përgjigjur “lëri se janë të rinj”. Më vonë dy të moshuarit kanë shkuar në dhomë për t’i zgjuar dhe kanë shtangur e janë shokuar. Të dy ata në krevatin dopjo duke u përpëlitur.
Fqinji Xhevat Pëllumbi tregon për gazetën “Si” se pas kësaj dy të moshuarit kanë klithur dhe kanë kërkuar ndihmën e fqinjëve. “Njoftuam ambulancën, por ndërkohë gjetën makinë në fshat dhe i nisëm për në spital. Asnjëri nga të dy nuk jepte shenjë. Ishin rëndë” tregon për gazetën “Si” Pëllumbi.
Nipi i shtëpisë i cili ka udhëtuar pas fatkeqësisë drejt Xhyrës është i shokuar. Të dielën ishte në dasëm, tani ka hapur dyert e mortit.
Albert Luli thotë për gazetën Si: Edhe këtu është mort. Ne presim ngushëllime. Një pjesë e familjes iku në fshatin tjetër tek familja e vajzës, pasi trupi do varroset atje. Nuk di çfarë të them, o me dashje o pa dashje, vetëm ata e dinë se çfarë kanë bërë dhe pse. Na ka rënë si bombë.

Në fshatin Fushë Buall të Elbasanit, tregojnë se Rezarta e njohu Olsin në një dasmë familjare. Blerta kujton se “ dy të rinjtë kërcyen dhe pas kësaj kanë folur përmes rrjeteve sociale”. Blerta thotë se ata u dashuruan, ndërsa në fshatin Xhyrë tregojnë se Olsi me Rezartën u njohën me shkuesi dhe se dasma me të afërm të të dyve ishte vendi ku ata u takuan si fillim.
Alberti kujton ditën e dasmës së çiftit. “Isha në dasmë këtu në lokal, dukeshin të lumtur, dasmën.. s’dimë çfarë emri ti vëmë kësaj”, thotë ai.

Por burime nga grupi i hetimit thonë për gazetën “Si” se dy të moshuarit janë dëshmitarë të rëndësishëm dhe fillimisht është marrë një deklaratë e përciptë e tyre duke respektuar tronditjen e thellë. “Ne do ti ripyesim sërish, pasi prindërit këmbëngulin se çifti nuk ka pasur asnjë zënkë dhe asnjë konflikt dhe se nuk kanë dëgjuar asgjë”. Ndërkohë për hetuesit e rëndësishme është edhe akt ekspertiza që do përcaktojë se për çfarë helmi bëhet fjalë, si edhe dëshmia e Olsi Hajdarit pasi ai të dalë nga gjendja e rëndë për jetën. Mjekët në spitalin e Elbasanit thonë se “Olsi Hajdari vazhdon të mbahet në reanimacion dhe dyshimet paraprake të tyre janë se helmimi i pacientit është me fostoksinë”. Përgjigjen përfundimtare e ka dhënë në orët e vona mjekësia ligjore, që ka konfirmuar për prokurorët se çifti ka pirë fostoksinë.

 

Reanimacioni i Elbasanit ku Olsi ndodhet në gjendje të rëndë

Familja Hajdari ku u martua Rezarta jeton në kushte të vështira ekonomike. Banorët e fshatit tregojnë për Gazetën “Si” se Olsi, djalë i vetëm dhe me një motër që e ka emigrante në Greqi, ishte kthyer nga emigracioni tre muaj më pare.
“Olsi dilte rrallë nga shtëpia, ishte djalë i urtë dhe nuk përzihej me askënd. Dija për të që kishte qenë emigrant në Prevezë dhe se ishte kthyer për t’u martuar. Kisha dëgjuar që pas martesës do qëndronte ca kohë me prindërit dhe pastaj do largohej sërish”, thotë Arbeni.

Shtëpia e çiftit

Por në shtëpinë e Olsit orenditë më të shtrenjta në mes të asaj varfërie gjenden në dhomën e gjumit të tij. Krevati është i ri, e po ashtu edhe mobiliet e kësaj dhome. Në derën e dhomës së gjumit gjenden ende shenjat e disa luleve të vogla të vendosura për të treguar atmosferën e dasmës.

Dhoma tjetër ku jetojnë prindërit ka mobilie të vjetra dhe po ashtu edhe kuzhina. Fqinjët tregojnë se familja jetonte në kushte të vështira dhe se burimi i të ardhurave ishte emigracioni i Olsit, i cili pavarësisht kushteve jo të mira pronotoi lokalin e fshatit për të bërë një dasmë sipas mundësive.
Xh. H , është pronari ku u mbaj të dielën dasma. Ai tregon se gjithçka shkoi shumë mirë në dasmë. “E pronotuan lokalin me 142 vende dhe dasma zgjati deri në pesë të mëngjesit. Ata erdhën të nesërmen të dy dorë për dorë, dukeshin të dashuruar dhe më dhanë lekët e dasmës. E vetmja shenjë që dallova ishte lodhja, pasi normale kishin kërcyer gjithë natën në dasmë. Por asgjë tjetër. Jam i shokuar dhe nuk mund ta besoj”, thotë ai.

Megjithatë prokuroria e Elbasanit thotë se çdo gjë do zbardhet me dëshminë e Olsit, për të kuptuar nëse çifti e piu me dakordësi fostoksinën, apo njëri nga bashkëshortët helmoi partnerin dhe më pas e piu edhe vetë? “Kjo është pista kryesore” thonë burimet e prokurorisë së Elbasanit dhe për momentin përjashtohet çdo dyshim tjetër referuar edhe marrjes së provave në fshatin Xhyrë që nga mbyllja e dritares dhe gjithë itinerari që ka pasur çifti ditën e fundit”.

Ndërkohë në rrjetet sociale Olsi dhe Rezarta shfaqen të lumtur dhe të dashuruar me njëri- tjetrin. Olsi më i hapur në jetën virtuale i bën dedikime herë pas here Rezartës duke u quajtur shkurt “dashuri”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here