Presidenti i Republikës Ilir Meta ka publikuar intervistën e profesorit grek Spiros Pavlidis dhënë për News24 ku flet për Shqipërinë dhe tërmetet.
“Një këshillë e vlefshme që duhet dëgjuar!”, shkruan Presidenti Meta duke iu referuar deklaratës së Pavlidis se bazuar në hartografi të merren masa.
Spiros Pavlidis, ish-pedagog dhe drejtor katedre i fakultetit te Gjeologjisë, Neotektonikës dhe Paleontologjisë në Universitetin Aristotelis të Selanikut sot Pedagog nderi, shpjegon në një intervistë për gazetaren Ira Londo se shkencëtarët grekë, shqiptarë, italianë etj, kanë bërë studime sizmiologjike e gjologjike për Shqipërinë, që në vitet ’80, por edhe para se të fillonin punimet për ndërtimin e TAP. Ai nuk e di nëse autoritetet shqiptare i morën në dorë këto studime.
“Dëgjoni, kërkimet shkencore që kryhen fillimisht në laboratore, në territor, prezantohen në kongrese, vonojnë shpesh të arrijnë në administratë dhe si rrjedhim në shoqëri.”
Profesor Pavlidis shprehet skeptik për masat e Shqipërisë që siç thotë dyshon se bazohen te rregullorja e vitit 1959 e Greqisë, rregullore që ka ndryshuar mjaft deri në ditët e sotme. Profesor Pavlidis sugjeron se mënyra më e mirë është që masat antisizmike të bëhen ligje ashtu sic ka ndodhur në vendin e tij.
“Parlamenti grek i atëhershëm vendosi të përditësohet kjo rregullore çdo 5 vjet me të gjitha të dhënat gjeologjike, sizmologjike e mekanike nga ndërtimet. Këto të dhëna në vijim transmetohen tek inxhinierët e ndërtimit, me udhëzimet përkatëse se si duhet ndërtuar në çdo zona, me kritete të caktuara e të ndryshme. Në vitin 1995 u votua në parlamentin grek si ligj shteti, pas tërmetit në Kozanë-Grevena. Për pyetjen tuaj se si u perceptuan njohuritë shkencore në Shqipëri dhe si reaguan autoritetet shqiptare, apo shërbimet kopetente që të marrin masa të ngjashme, rregullore të tilla, këtë nuk e di”
Profesori grek shprehet se nëse Shqipëria do të kishte përgatitur dhe adoptuar një rregullore të ngjashme me Greqinë do minimizonte shumë dëme.
“Objektivi i rregullores antisizmike dhe e studimeve të zonave mikrosizmike, është të kemi minimalizim të dëmeve. Është thuajse e pamundur të eliminohen dëmet pasi atëherë do të kishim ndërtesa jo-ekonomike. Por mund të minimizojmë të kemi dëme sa më të vogla, që ndërtesat të mos bien, të mos shkatërrohen, të mos ketë viktima e të lënduar, dëmet të jenë të riparueshme.”
Profesori grek tërheq vëmendjen se Shqipëria është pa dyshim një zonë sizmike dhe përfshihet në zonat me aktivitet të ngjeshur sizmik. Porosia e tij të cilën e përsërit shpesh gjatë intervistës është që shqiptarët të mos harrojnë atë që ndodhi dhe këtu nuk e ka fjalën për qytetarët por për autoritetet të cilët duhet të marrin masa.
“Unë e dua shumë popullin shqiptar dhe jam i bindur që do e tejkalojë këtë situatë. Por duhen masa e reagim, shkencëtarët tuaj e pastaj pushteti lokal. Mos prisni nga politikanët vetëm, bazohuni tek fuqitë tuaja, mos e lini të harrohet. Shërbimet kopetente të marrin masa mbrojtëse, të krijojnë sisteme mbrojtëse të posaçme. Por kurrë mos harroni!”.