Akademiku i njohur, Artan Fuga, foli për të gjitha problemet, që sipas tij, do të sjellë ligji anti-shpifje i qeverisë. Duke shprehur bindjen që ligji kalon nesër në Kuvend, Fuga tha se ky ligj nuk prek vetëm mediat, por edhe të drejtat e qytetarëve, pasi këto të fundit nuk do t’i drejtohen më gjykatës, por Autoritetit të Medias Audiovizive, për të kërkuar të drejtën e tyre.
Pjesë nga intervista:
Flisni dhe për diferencime…
Një gazetarë që punon në mediat elektronike, nëse bën një reportazh, artikull apo lajm dhe cenon reputacionin ose jetën private të një individi, ai do të gjykohet nga Këshilli i Ankesave. Kurse nëse i njëjti zhanër botohet në median e shkuar kjo çështje do të gjykohet në gjykatë. Ja ku ka një kaos ligjor, që prish parimin bazë të një jurispudence të drejtë. Madje, do të thosha që ky ligj privilegjon median e shkruar në letër, pra gazetat e revistat në letër, transmetimet audiovizive në ekranet e mëdha të televizionit dhe dëmton portalet dhe tërë komunikimet elektronike. Por, të mos harrojmë se edhe gazetarët që punojnë në programacione lineare, në momentin kur do të shfaqet i njëjti emisioni në faqet elektronike, edhe ata do të kenë të njëjtat probleme, të mos mendojnë se do të shpëtojnë nga Këshilli i Ankesave. Unë shoh dhe një tension mes të drejtave qytetare dhe pushtetit, si dhe mediave elektronike me ato klasike. Ligji privon mediat elektronike.
Pse qeveria pati nevojë të krijojë këtë paketë?
Nuk jam në mendjen e pushtetarëve shqiptarë. Ne kemi hyrë në një shoqëri piramidale, që ka disa rreziqe. Zgjedhjet e lira dhe informacioni i pakontrolluar janë dy rreziqet e shoqërisë piramidale, që ne kemi në ndërtim e sipër. Komunikimi i pastruar nga fakenews është i rrezikshëm. Fakenews nuk është gënjeshtra, nuk është manipulim i thjeshtë, por një këndvështrim subjektiv. Komunikimi nuk e përjashton dot fakenews. Përgjegjës për fakenews nuk janë vetëm publikimet elektronike, fakenews gjejnë edhe në profile personale, në gazeta, në televizione, madje edhe në edicionin e lajmeve të çdo televizioni. Vërtet media shpeshherë na e ka shpifur, ka denigrime, futje në jetën personale të individëve.
Media duhet mbrojtur nga këto ekzagjerime, duhen norma juridike që të mbrojnë qytetarin, personin publik, gruan, nga denigrimi, por problemi është si do bëhet kjo gjë. Të gjitha këto veprime apo mosveprime, si shpifja, fyerja, etj. i kemi parashikuar edhe në Kodin Penal, edhe në ligjin aktual për mediat audiovizive. Problemi është që këto ligje të mbrohen nga gjykata të drejta, jo të politizuara dhe korruptuara. Ky është problemi, funksionimi i gjykatës. Ne jemi përpara një situate tjetër, që të gjitha këto vepra, që rëndojnë mbi qytetarin apo median, nuk do të gjykohen më nga gjykatat dhe qytetari nuk do të ketë më mundësi të përfitojë nga gjykimi i tij i drejtë përmes një gjykate.
A mundem ne gazetarët, edhe opozita, ta ndalojmë miratimin e këtij ligji, dhe si?
Jo, nuk e ndalon dot, pasi po të ishte për të ndaluar do bazohej në dy gjëra: dialogu dhe forca e arsyes mes grupeve të interesuara dhe pushtetit, kjo nuk ka ndodhur. Nuk besoj që nesër në seancë plenare Kuvendi të hedhë poshtë tërë ato parapërgatitje që kanë bërë deputetët në Komisione. Por e dyta do të ishte rezistenca e gazetarëve, që e shoh relativisht të dobët. I shoh të shpërndarë, secili sheh interesin e vogël të medias së vetë. Mediat audiovizive dhe ato të shkruara e shohin si një ligj që prek vetëm mediat online.
Çfarë do duhet të bëjnë gazetarët më?
Gazetarët nuk kanë bërë dot atë që mund të bënin, për arsye të ndryshme. E para, që shoqatat e gazetarëve të ndërmerrnin një nismë apo aktivitet, përtej deklaratës. Shikoj pronarët e mediave, që janë të heshtur, nuk janë aktivë. Shikoj që gazetarët e mediave audiovizive dhe të shkruara nuk e ngrenë zërin, sepse dhe ata janë nën presionin e politikës. Pra, rezistenca është e pamjaftueshme. Ajo që shoh të rëndësishme është se ky ligj nuk është vetëm problem i lirisë së medias, por edhe i publikut, i audiencave, i të drejtave të qytetarëve. Ky ligj mbron shumë pushtetarin, pasi ballafaqimi mes gazetarit dhe pushtetit nuk do të bëhet më në gjykatë, por në Këshillin e Ankesës dhe në Bordin e AMA, i cili është një bord i ngritur me ngjyresa politike. Që këtu ka mbaruar gjykimi i drejtë dhe i paanshëm.
Si e shpjegoni faktin që nuk ka asnjë zë ndryshe ndaj kësaj pakete të PS, duket të gjithë të jenë në një mendje?
Nuk është hera e parë kjo gjë. Ligjet për Akademinë e Shkencave, për Arsimin e Lartë, ishin po kështu. Kjo ndodh pasi tani nuk ka më deputetë të pavarur individualë. Nëse deputeti ngrihet kundër ligjeve të partisë, është i përjashtuar. Pra, edhe deputeti nuk është i lirë, vepron si në një situatë të jashtëzakonshme, ushtarake, në grup, ndaj nuk priten zëra kundër, është e pamundur. Ata që janë zgjedhur në këtë Kuvend e kanë pranuar këtë kontratë me partinë. Ne, në vend të një Kuvendi me zëra pluralë, kemi një Kuvend piramidal, ku grupi parlamentar dominohet nga partia dhe kjo e fundit nga kreu i partisë./BalkanWeb