“Na ishte se ç’na ishte”… kështu fillonte çdo përrallë, që linte gojëhapur vogëlushët, të cilët me zor prisnin orën 18:00, çdo të shtunë.
Ajo ishte gjyshja më e dashur e çdo fëmije, lindur përpara viteve ’90, sot i burrëruar, por që e kujton me po aq mall e dashuri, të ëmblën Marika Kallamata. Aktorja e dhjetëra roleve në film e teatër u nda dje nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Që prej rolit të fundit te “Streha e të harruarve”, që e ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar së bashku me një grup aktoresh të mëdha, bashkëmoshataresh, aktorja nuk u rikthye më përpara publikut. Por ishte e pranishme në takime, në radhët e para të çdo premiere teatri apo festivali. E shihnim shpesh tek bareste, mbështetur mbi bastun, derisa edhe ky imazh nuk u pa më dhe kujtimi i tij u mbyt nga zhurma dhe rutina e kryeqytetit. Megjithatë, kujtimi për të do të mbetet i gjatë. E para që shprehu ngushëllimin për ikjen e aktores ishte ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
“Ndonëse ka luajtur dhjetëra role në teatër e kinema, ajo do të mbetet për ne përherë gjyshja e përrallave. Marika Kallamata, aktorja e mrekullueshme, gruaja me pamje të paqtë e zë të ngrohtë, u nda prej nesh duke lënë pas jo vetëm një galeri të pasur rolesh, kujtimesh të dashura, për të gjithë ata që e njohën nga afër, por edhe timbrin e ngrohtë: Na ishte se ç’na ishte…! U prehsh na paqe e dashura jonë, që na e përkunde fëmijërinë me mijëra fantazi!”, shkruan Margariti në faqen e saj, në rrjetin social “Facebook”. Sipas saj, homazhet për aktoren do të zhvillohen sot, mes orës 11:00-13:00, në ambientet e arTurbinës.
AKTORJA
Marika Kallamata u lind në Fier, më 17 nëntor 1930. Aktivitetin artistik e filloi në moshë fare të re dhe kur ishte 20 vjeç, në vitin 1950, do të ngjitej në skenën e Teatrit Popullor. Ka interpretuar rreth 60 role, karaktere të veprave të mëdha të dramaturgjisë botërore, por edhe asaj shqiptare, ku ndër më të spikaturit janë: Ortensia, Aspasia, Mara, Fallxhesha, Nina, Ana, Nekija. Një numër të madh rolesh numëron edhe në kinematografi, ku ka interpretuar kryesisht role nënash, si te “Vitet e pritjes”, “Fjalë pa fund”, “Gabimi”, “Fillim i vështirë”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Ëndërr për një karrige”, “Nxënësit e klasës sime”, “Kur xhirohej një film”, “Fëmijët e saj” etj. Edhe pse role të vogla, ajo u kushtonte shumë dashuri. Do të kishte dashur të jepte më shumë, por punoi në kohë të vështira, kur arti duhet t’u bindej kornizave. Shumë pjesë u ndaluan, të tjera nuk kanë ardhur deri në ditët tona, pasi nuk arritën të regjistroheshin.
“Edhe mund të kem pengje, sepse shumë pjesë teatrore që kanë qenë shumë të mira nuk kanë pasur jetë artistike. Janë anuluar që në provën gjenerale në teatër dhe kjo ndodhte për arsye ideologjike. Në këto pjesë teatrore kam pasur role shumë të mira, por fatkeqësisht veprat nuk u dhanë në skenë. Kam pasur dhe shumë role në vepra të ndryshme artistike, që fatkeqësisht nuk janë regjistruar, sepse atë kohë nuk kishte televizion. Edhe kjo gjë është një nga pengjet e mia në jetën artistike. Aktori gjithmonë ka dëshirë që çdo rol i tij të mbetet, të jetë i regjistruar, por në vitet e para në teatër ne nuk e patëm këtë mundësi”, është shprehur ajo për mediat disa vite më parë.
Doli në pension në tetor 1985, por aktorja vazhdoi jetën aktive në skenë e në ekran, ku u angazhua edhe në emisionet e fëmijëve, sidomos atë të përrallave. Po ashtu, ka interpretuar në “Shtëpia me dy porta”, “Nesër është vonë” dhe “Një baba tepër”. Në vitin 2004, ajo u ngjit me kolegët e saj në skenë pas shumë vitesh, në dramën “Streha e të harruarve”, shkruar nga Ruzhdi Pulaha, me regji të Mihallaq Luarasit, ku korri sukses me rolin e saj. Është nderuar me titullin “Artiste e merituar”.
Panorama