Këshilli i Qarkut Peshkopi ka vendosur t’i akordojë titullin “qytetar nderi” pas vdekjes Haxhi Lleshit, një nga themeluesit e Partisë Komuniste shqiptar, Kryetar i Kuvendit Popullor, ministër i Brendshëm, deputet gjatë gjithë periudhës së diktaturës dhe mbajtës i një sërë posteve të tjera.
Ky dekorim ka ngjallur shumë debate mes figurave publike e politike të vendit.
Një reagim vjen edhe nga ish-kreu i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufa, i cili e konsideron tiranozaur të komunizmit ndërsa vendimin e Bashkisë e konsideron grotest dhe përpjekje të Rilindjes për restaurimin e rekuizitës komuniste.
“Tragjikomik, grotesk, turpërues e anakronik akti i dhënies së titullit “Qytetar nderi” për tiranozaurin e komunizmit Haxhi Lleshin nga bashkia e Peshkopisë! Haxhi Lleshi, ish-vegël e komunistëve serbo-jugosllavë gjatë luftës së ashtuquajtur NÇL dhe Kryetar i Kuvendit Popullor gjatë regjimit enverist, duhej të ishte kandidati i parë për “Qytetar turpi!”. Po si duket, epoka e Rilindjes po na e restauron tërësisht rekuizitën komuniste të diktatorit Enver Hoxha! Bravo! Kështu shkohet drejt BE dhe vlerave të saj! O turp, ku e ke skuqjen!”, shkruan ai.