Zoti Rama, përse zonat e prekura nga tërmeti nuk i vizitove me Haradinajn, por me Vuçiç?

0
150
Nga Elkier Bushkolaj 

“Kombet e mëdha gjithmonë sillen si gangstera, kurse kombet e vegjël si lavire”. Kjo thënie e regjisorit amerikan, Stanley Kubrick, më erdhi ndërmend kur dëgjova kryeministrin e vendit tim, Edi Ramën, që duke justifikuar sulmet e paprecedenta ndaj klasës politike në Kosovë, u shpreh se amerikanët i kanë shkuar në zyrë kur është ngritur çështja e bashkimit me Kosovën dhe e kanë kërcënuar të heqë dorë nga kjo ide.

Me logjikën e atij që shqiptarët e kanë votuar për t’i drejtuar, Vetëvendosja, që në thelb të programit të saj ka bashkimin me Shqipërinë nuk do vinte kurrë në pushtet, por sot kjo forcë politike është gati të krijojë qeverinë e Kosovës dhe ka mbështetjen e plotë të Amerikës.

Arsyeja kryesore se përse e majta shqiptare prej vitit 1945 nuk e do bashkimin me Dardaninë dhe Iliridën është se ndryshojnë balancat për shkak të mbështetjes që e djathta tradicionale ka në këto treva, ndërkohë motivet e tjera përse ky bashkim nuk realizohet, lidhen me shprehjen e regjisorit amerikan që citova në hyrje të shkrimit.

Është e papranueshme që Kryeministri i Shqipërisë, në krah të liderëve të tre shteteve sllave, të cilat janë krijuar përmes aneksimit me luftë të territoreve shqiptare  dhe asimilimit të popullsisë shqiptare në këto treva, të sulmojë Kosovën, shteti i fundit në Evropë që fitoi pavarësinë nga Serbia përmes luftës së armatosur.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për Edi Ramën mund të jetë një i paditur klasik e gënjeshtar, por për shqiptarët ai është një njëri që për vendin e tij ka luftuar me armë në krah, e kur Rama merrej me tregti ikonash dhe rrezitej në plazhet e Francës, Ramushi trupin e pajetë të vëllait të vrarë në betejë me serbët, e ka marrë në krah dhe e ka sjellë në Has për të varrosur, që çetnikët serbë mos t’i përdhosnin varrin.

Në Kosovë krahu i luftës qeveris prej 20 vitesh, e përpara se t’i ftosh të bëhen pjesë e “Jugosllavisë së re” dhe t’i ofendosh përse nuk pranuan, pyeti a i kanë harruar masakrat serbe ndaj popullatës shqiptare, varret masive, te zhdukurit në burgje, përdhunimet, pyeti a e kanë harruar sakrificën sublime të familjes Jashari, pyeti a e kujtojnë ende diskriminimin, robërinë, varfërinë, përçmimin dhe shpopullimin që u rezervoi  Serbia për një shekull.

Pasi të kesh marrë përgjigjet e tyre për këto pyetje, atëherë  ndoshta mund t’i etiketosh si të paditur, e jo aq të lexuar sa Gent Cakaj.

Është e lehtë të organizosh tryeza të përbashkëta Shqipëri –Kosovë për t’i reklamuar në ERTV dhe Facebook, apo të nënshkruash marrëveshje që nuk po gjejnë asnjë zbatim mes dy vendeve, por është e vështirë të jesh një burrë shteti që ndërton themele, rrugë e shpresë dhe sfidon fasada.

“Shengeni Ballkanik” izolon ekonomikisht Kosovën dhe i mundëson Serbisë dalje në detin Adriatik përmes Durrësit, ëndrra e tyre e vjetër, për të cilën punojnë prej dekadash.

Eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Eduart Jozef në një intervistë për mediat në Kosovë pak ditë më parë, ngriti shqetësimin se përse klasa politike në Shqipëri nuk e ndalon Edi Ramën në rrugëtimin dhe aventurën e tij për të dëmtuar Kosovën duke forcuar ekonomikisht Serbinë.

Shqiptari ndër mote e ka pasur për zakon ta falë hasmin, por kurrë në ditë të vështirë nuk i ka kërkuar ndihmë as lëmoshë armikut të vjetër, që nuk i ka ndryshuar as emri as synimet, ndaj prania e Vuçiçit dhe Gjukanoviçit në zonat e prekura nga tërmeti në Durrës në krahun tënd duke u shfaqur si të dëshpëruar përpara kamerave ishin një skenë neveritëse dhe turpshme.

Zoti Rama, përse nuk zgjodhe të vizitoje zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit përkrah Haradinajt, pasi ishin Forcat e Sigurisë Kosovës që me urdhër të tij mbërritën pranë rrënojave  në Durrës e Thumanë përpara zjarrfikësve dhe policisë shqiptare?

Ishin shqiptarët e Kosovës që hapën dyert të parët për të strehuar të prekurit nga tërmeti, e që u angazhuan së bashku me diasporën e tyre për ndihma financiare.

Nuk shkove as me mikun tënd, Hashim Thaçin, as me Albin Kurtin, ndërkohë gjatë vizitave me vartësit e tu më në ato zona prije si lider suprem, teksa në krah të “Gebëlsit” të Kasapit Ballkanit dhe Gjukanoviçit, ato 198 cm gjatësi fizike më të cilat mburresh, nuk dolën shumë në pah.

Ndoshta babëzia dhe mungesa e turpit ndoshta nuk e kanë një limit, por tradhtia është akt i rëndë që e ka një kufi që nuk duhet shkelur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here