Rast flagrant i abuzimit financiar/ Strazimiri: Prokuroria të nisë hetimet, shkolla është rikonstruktuar para një viti…

0
139

Shembja dhe dëmtimi nga tërmeti i dhjetëra shkollave të reja apo të rikonstruktuara së fundmi ka nxjerrë në pah abuzimet dhe vjedhjet në bashkitë kryesore të vendit. Pas shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë, Partia Demokratike denoncoi njërën prej tyre, shkollën e Mesme të Bashkuar “Ismet Nanushi”, në Sukth, pjesë e Bashkisë së Durrësit.

Gent Strazimiri, Enkelejd Alibeaj dhe Xhemal Gjunkshi panë nga afër dëmtimet e rënda të shkollës së rikonstruktuar 1 vit më parë. Shkollës i është vënë kryqi i verdhë, duke treguar rrezikshmëri të lartë, megjithëse për rikonstruksionin e saj u shpenzuan dhjetëra milionë lekë.

“Shkolla është rikonstruktuar para një viti me një fond rreth 70 milionë lekë, por për shkak të cilësisë së dobët të punimeve, është dëmtuar rëndë. Nuk ka as informacion cila është firma që ka bërë punimet dhe as kush e ka marrë në dorëzim, bashkia apo drejtuesit e shkollës. Nëse tërmeti do të kishte rënë gjatë orarit të mësimit dhe jo në 4 të mëngjesit, do të kishte bërë një masakër të fëmijëve të Sukthit “, u shpreh Gent Strazimiri.

Në emër të Partisë Demokratike, zoti Strazimiri kërkoi nisjen e hetimeve për të çuar para drejtësisë këdo që, për të vjedhur, ka vënë në rrezik, jetën e fëmijëve në shkollën “Ismet Nanushi” në Sukth.

“Mendoj që është një rast flagrant i abuzimit financiar, një rast flagrant i përqeshjes me jetët e njerëzve, edhe në keq akoma, me jetët e fëmijëve. Prokuroria duhet të konsiderojë nisjen e një hetimi për të gjetur autorët e kësaj grabitjeje, që, nëse nuk do t’i kishte ruajtur Zoti, do të kishte sjellë tragjedi për fëmijët”, tha Gent Strazimiri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here