Regjisori Budina e thotë hapur: Shembja e Teatrit Kombëtar është humbje e shpresës, do ta mbrojmë me thonj e dhëmbë

0
161

Edmond Budina, aktor dhe regjisor, pas 23 vitesh jete pune në Itali kthehet në Tiranë për të mbrojtur Teatrin Kombëtar në protestën më jetëgjatë të 30 vjeçarit.

Budina: Nuk jam larguar asnjëherë nga Shqipëria pavarësisht se kam qenë atje. Për Teatrin kam ardhur se aty kam lindur në njëfarë kuptimi, aty jam rritur. Është normale që të vi dhe luftoj. Nuk është e lehtë, e thjeshtë të marrësh një vendim të tillë. Por bindja që ne duhet të japim një shpresë. Shembja e Teatrit Kombëtar është një humbje e shpresës.

Kauza është e mjaftueshme thotë regjisori në “Tempora”, që ai të merrte vendimin për kthim.

Budina: Ja vlen. Mua më pëlqen shumë marrëzia shqiptare. Kjo më bën të vi shpesh. Më mirë ndihem këtu se në Itali, në këtë pisllëk, të tërë të ligat e këtij vendi më pëlqejnë, edhe intrigat, se janë mënyrë frymëzimi.

Dhe bashkë me protestën vazhdon dhe krijimtaria e tij artistike.

Budina: Duke protestuar në Teatër ti pasurohesh në tërë kuptimin e fjalës. Gjen personazhe të çuditshëm. Ka personazhe që vinë aty dhe thonë një fjalë vetëm dhe ikin, ky është një personazh që nuk e gjen në asnjë vend tjetër. Apo i dehur që vjen dhe flet pafund, ky është personazh që nesër pasnesër të duhet. Jo vetëm protesta më ka pasuruar shumë, por edhe rasti i tërmetit. I kam shkelur me këmbë të gjitha vendet ku ka ndodhur tërmeti, kam çuar ndihma dhe kam parë realisht se çfarë është Shqipëria  e vërtetë. Të shkosh të çosh ndihma dhe njerëzit në varfërinë e tyre të përpiqen të të përmbysin furgonin sepse duan të marrin diçka tregon se realiteti në këtë vend është i dhimshëm, i egër. Kjo është një mënyrë edhe për të luftuar këtë ligësi.

Ky është një shembull që shqiptarët mund të protestojnë jo duke u larguar, por duke u kthyer në vendin e tyre.

Budina: Shqiptarët mund të kthehen dhe të protestojnë. Të njëjtën gjë ka bërë Avni Delvina, Genc Sejko. Është një mënyrë artistike për tu kthyer për të protestuar në këtë vend. Rrënja e Tetarit Kombëtar është rrënja e demokracisë përfundimisht. Me dhëmbë, me thonj do ta mbajmë atë ndërtesë. Është çështja e shkatërrimit të demokracisë, vendosjes së diktaturës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here