Policia arrestoi ditën e sotme, shtetasin Mariglen Hoxhallari, efektiv në Gardën e Republikës, pasi ky i fundit në bashkëpunim me dy persona, kanë goditur me sende të forta shtetasin Ismet Llesho, duke e lënë të plagosur rëndë.
Aktualisht shtetasi i dëmtuar ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës, pas dëmtimeve që ka marrë në pjesën e kokës.
Sipas dinamikës së ngjarjes, kanë qenë kamerat e sigurisë ato që kanë bërë të mundur identifikimin e Mariglen Hoxhallarit, ndërkohë që nuk është bërë i mundur identifikimi i dy personave të tjerë që janë përfshirë në sherr.
Tashmë Hoxhallari do të akuzohet për veprën penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”, ndërkohë që i vetmi që mund të hedhë dritë mbi ngjarjen është personi i dëmtuar që mund të zbardhë edhe motivet dhe emrat e personave të tjerë të përfshirë në përplasjen fizike.