“Zoti i do të gjithë, madje edhe më të këqijtë prej nesh”- është ky mesazhi i Papa Françeskut në meshën e Krishtlindjes. Ai duke folur para mijëra njerëzve gjatë meshës së festës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan tha se “Ju mund të keni ide të gabuara, ju mund të keni bërë një rrëmujë të plotë të gjërave…por Zoti vazhdon t’ju dojë”.
Në mesin e atyre që morën pjesë në meshë ishin edhe disa fëmijë nga disa vende të botës, përfshirë Venezuelën, Irakun dhe Ugandën.
Kjo tregon se në vëmendje të Papës, si udhëheqës i 1.3 miliardë katolikëve, janë edhe migrantët dhe viktimat e luftës.
“Zoti nuk ju do sepse ju mendoni dhe veproni në mënyrën e duhur. Dashuria e tij është e pakushtëzuar; nuk varet nga ju”, tha Papa.
Papa Françesku gjithashtu iu referua skandaleve të abuzimeve dhe atyre financiare që e kanë goditur Kishën.
“Çfarëdo që të shkojë keq në jetën tonë, çfarëdo që të mos funksionojë në Kishë, pavarësisht problemeve që ka në botë, kjo nuk do të shërbejë më si një justifikim”, tha Papa, 83 vjeçar./REL