Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me kryetar Ardian Dvoranin nuk zhgënjen sërish. Artur Metani, vëllai i ish-ministres socialiste, Eglantina Gjermeni dhe këshilltar i Presidentëve në periudhën 2002-2012, renditet i pari nga në pikëzimin që i është bërë kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Në garën për ILD kanë marrë pjesë 5 kandidatë që janë intervistuar dhe KED ka kryer renditjen e pikëve, nga ku rezulton se Metani ka 89.6 pikë, ndërsa prokurori Sokol Stojani 89 pikë. Ndërkohë që kandidatja Lindita Troja është vlerësuar me 63.4 pikë, duke u renditur e fundit në listën me 5 kandidatë. Dy kandidatët e tjerë në garë Eris Hysi dhe Joana Asimi Sorraj janë vlerësuar përkatësisht me 78.3 pikë dhe 82.5 pikë.
Vendimi i zbardhur i KED për të lejuar Metanin të kandidojë tregon se edhe vetë Këshilli nuk ishte unanim. Pesë anëtarë, përfshi kryetarin e KED Ardian Dvorani, anëtaren e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, anëtarët Fatjona Memçaj, Fatri Islamaj dhe Eriol Roshi, arsyetuan se pozicioni që Metani kishte pasur në administratën publike nuk ishte politik. Ndërkaq ish-kryeprokurorja Arta Marku dhe gjyqtarja Margarita Buhali në pakicë arsyetuan se Metanit i ndalohej kandidimi.
Lidhja me Soros e PS
Pavarësisht se posti që ka mbajtur si këshilltar pranë Presidentit për 10 vite, e skualifikon automatikisht nga gara, për faktin se pozicioni i këshilltarit konsiderohet si post politik, dhe në ligj parashikohet që kandidatët për ILD nuk duhen të kenë pasur funksione politike në 10 vitet e fundit, Metani jo vetëm që nuk është skualifikuar por edhe ëhstë rënditur i pari nga KED për ILD-në. Metani, përveç pozicioneve që ka pasur pranë zyrtarëve më të lartë të PS-së, përfshi edhe atë si i emëruar nga Rama fillimisht drejtor në Kryeministri për legjislacionin dhe me pas në pozicionin e Avokatit të Shtetit, kur zëvendësoi Alma Hickën, rezulton se është një nga zyrtarët e Fondacionit Soros, i njohur ndryshe si “Fondacioni i Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë”.
Referuar një dokumenti të bërë publik nga avokati Altin Goxhaj, Metani rezulton si koordinator programi. Në dokumentin e publikuar, të titulluar “Program i Ligjit” shpjegohet aktiviteti i Qendrës së Ligjit, kontributin që ajo ka dhënë në reformën e re të drejtësisë, përmes mbështetjes së iniciativave dhe projekteve. Dhe në fund të dokumentit vendosen emrat e personave përgjegjës për të, mes tyre edhe Artur Metani.
Nëse Metani do të përzgjidhet në pozicionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, atëherë ky do të jetë rasti i dytë zyrtar që institucionet e reja të drejtësisë jo vetëm drejtohen nga zyrtarë të Fondacionit Soros, por edhe nga të afërm të deputetëve dhe ish-deputetëve të Rilindjes.
Kështu, Genti Ibrahimi, edhe ky pjesë e fondacionit Soros, ( gjë të cilën e ka pranuar publikisht me krenari në intervista publike) njëkohësisht kunati i deputetes socialiste Mimi Kodheli, u emërua në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ndërkohë, Artur Metani, vëllai i ish-deputetes dhe ish-ministres Englantina Gjermeni, po pjesë e Fondacionit Soros, është një nga pretendentët kryesorë për të drejtuar ILD, një nga institucionet e reja më të rëndësishme të sistemit të ri. Inspektori do të ketë në dorë hetimin e abuzimeve nga gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha shkallëve. Po ashtu, do të hetojë dhe ndjekë procedimet disiplinore edhe ndaj anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke qenë kështu kontrolluesi i të gjithë sistemit.