Familja nga Prizreni prej të cilës humbën jetën dy fëmijët jetonte prej 15 vitesh në qytetin Mont Brison, të Francës. Majda Demiri, 5 vjeç dhe Adil Demiri 2 vjeç humbën jetën tragjikisht në lumin, Le Moingt, ditën e mërkurë. Ngjarja tragjike ndodhi para syve të nënës së tyre, 35-vjeçares Arijana Demiri. Pasi pa se 2 fëmijët e saj që po luanin ranë në ujë ajo u fut në lumë, por nuk mundi t’i nxirrte ata jashtë për shkak të dallgëve. Televizioni “T7” i Kosovës ka arritur të kontaktojë familjarët që tregojnë si ndodhi ngjarja.
Pas ngjarjes tragjike nëna është shtruar në spital. Sipas familjarëve, ajo është ende është në gjendje kome. Zyra e prokurorit në Saint-Etienne ka nisur hetimet dhe ka urdhëruar autopsinë e dy trupave. Familjen nga Kosova e kanë ngushëlluar Presidenti Hashim Thaci, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ministri në detyrë i Jashtëm, Behgjet Pacolli.