Kraja rikthen në SPAK prokurorët e skualifikuar nga KLP-ja….

0
134

Kryetari i porsazgjedhur i SPAK-ut, Arben Kraja është kujdesur të marrë pëlqimin e drejtueses së Prokurorisë së Tiranës dhe miratimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për transferimin e përkohshëm të prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara në Prokurorinë e Posaçme.

Në një proces të mëparshëm pikëzimi të kandidatëve për SPAK, KLP nuk i përfshiu Prençin dhe Marën mes kandidaturave të përzgjedhura në bazë të profesionalizimit dhe integritetit për Prokurorinë e Posaçme.

Një ditë pas prezantimit të tij si titullar i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, Arben Kraja ka nisur procedurën për emërimin e përkohshëm në insitucionin që ai drejton të dy prokurorëve.

KLP njoftoi të enjten më 26 dhjetor, se gjatë mbledhjes plenare u miratua me 9 vota pro kërkesa e Krajës për transferimin e përkohshëm të Marës dhe Prençit në SPAK, si edhe ndërprerja e caktimit të tyre të përkohshëm në Prokurorinë e Tiranës.

Në shkresën që Kraja i ka dërguar KLP-së sqarohet se, gjatë procesit të marrjes në dorëzim të procedimeve penale të transferuara për kompetencë nga ish-Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda në SPAK, është evidentuar se prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kanë transferuar një numër shumë të lartë procedimesh penale voluminoze e komplekse, në hetim e gjykim dhe me një numër të lartë të pandehurish.

“Më konkretisht, Prokurori Dritan Prençi ka transferuar 15 procedime penale në hetim me 92 persona nën hetim si dhe një kërkesë për ekzekutim letër-porosie të autoriteteve të huaja. Ndërkohë, ka në ndjekje në gjykim 13 çështje penale me 100 të pandehur si dhe dy kërkesa për konfiskim pasurie. Prokurori Vladimir Mara ka transferuar 22 procedime penale në hetim me 126 persona nën hetim me masë sigurimi personal. Ndërkohë ka në ndjekje 17 çështje në gjykim me 97 të pandehur dhe një kërkesë për konfiskim pasurie”, thuhet të shkresën e nënshkruar nga Kraja.

Ai e argumenton kërkesën e tij për caktimin përkohësisht të Marës dhe Prençit në SPAK me ngarkesën e madhe të dosjeve të transferuara aty dhe se dy prokurorët i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e kësaj prokurorie.

“Prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore që kërkohen për t’u emëruar prokuror pranë prokurorisë së Posaçme, kanë dhënë pëlqimin e tyre për transferimin dhe respektimin e kushteve të sigurisë për besimin dhe konfidencialitetin në prokurorinë e Posaçme”, citohet në shkresën e firmosur nga Kraja.

Në një proces të mëparshëm, KLP miratoi listën me 15 prokurorët e përzgjedhur si kandidatë për të qenë pjesë e SPAK. Nga lista mungonin ish-krerët e Prokurorisë për Krime të Rënda Donika Prela dhe Besim Hajdarmataj si edhe dy prokurorët e dosjes së famshme 339, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.

/Birn/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here