Pas deklaratave të kryebashkiakut Veliaj se vitin që vjen do të shembë Teatrin Kombëtar për t’i hapur rrugën ndërtimit të të riut dhe kompleksit të kullave pas tij, artistët thonë se janë mësuar me të tilla paralajmërime dhe kërcënime. Regjizori Robert Budina thotë se çdo tentativë do të hasë në kundërshtinë e tyre.
Robert Budina, Regjizor: “Ai njeri nëse do të guxojë të vijë këtu te ky mullari me bar që ju e shikoni se si i rezistoi tërmetit do të marrë përgjigjen e merituar, ashtu siç e morën dhe në 24 korrik, kur erdhën fodullë për ta bërë këtë punë dhe për të na larguar ne dhe ikën me bisht ndër shalë.
Ne e kemi ndërkombëtarizuar çështjen dhe këta nuk do t’ia dalin kollaj. Këta le të kenë kurajën dhe guximin të vijnë të shembin Teatrin Kombëtar kur vijnë njerëzit më të rëndësishëm, të Trashëgimisë Europianë që bëjnë roje me ne natën dhe ne jemi duke punuar dhe duke bërë shfaqje. Me çfarë morali do ta bëjë ky që na heq paralelet me unazën?”
Në një kohë kur Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit paralajmëron dërgimin e dosjes në SPAK.
Robert Budina, Regjizor: “Nëse ky bën një akt të tillë, pa diskutim, ligji, për mendimin tim duhet të shkojë në gjykatë kushtetuese, nuk ka pse shkon në SPAK. Por nëse ky bën një shkelje proceduriale, a nuk e di unë se çfarë, sepse edhe ky vendimet që merr vijnë si rezultat i vendimit që është marrë nga ligji.”
Së bashku me ngritjen e kullave po pastrohen edhe paratë, vijon më tej regjizori Budina, teksa thotë se kryebashkiaku Veliaj duhet të ishte pas hekurave të burgut.
Robert Budina, Regjizor: “Ky njeri duhet të shkojë në burg, ky s’ka bërë transparencë.
Në bazë të ligjit duhet të na japë transparencën kush fitoi, si fitoi, qysh fitoi. Korrupsioni I shqiptarëve, shkon në Teatrin Kombëtar, është kthyer në një simbolikë kjo histori.”
Artistët thonë se janë më të vendosur se kurrë për të mbrojtur Teatrin Kombëtar, në një kohë që Bashkia e Tiranës po përshpejton shembjen e tij.