Ndërsa dy katet e pallatit 5 katësh në Pogradec janë shndërruar në gërmadha, policia bëri të ditur se shkak i rënies së zjarrit janë bërë shkëndijat e oxhakut.
Hetimet zbuluan se ato janë përhapur në një nga apartamentet që ishte ende në ndërtim e sipër në katin e fundit, e pikërisht në disa konstruksione druri në papafingo.
Ato morën flakë menjëherë e zjarri i favorizuar edhe nga era, u përhap menjëherë në gjithë katin.
Shefi i Shërbimit të Zjarrfikëses shpjegon edhe defektin e ndodhur në një prej autoboteve gjatë tentativës për shuarjen e flakëve.
Për fat të mirë nuk ka pasur njerëz të lënduar, por dëmet materiale duken të jenë të mëdha. Banorët janë ende të traumatizuar nga kjo fatkeqësi.
Autoritetet vendore u kanë ofruar strehim banorëve, ndërkohë që sqarojnë se do të ketë edhe dëmshpërblim sipas ligjeve ne fuqi.
Zjarri i fuqishëm që përfshiu pallatin shkrumboi gjithsej 12 apartamente.