Nga Jakup Krasniqi.
(Për nderim të pushkës së parë të Adem Legjendarit!)
Para 28 vitesh, më 30 dhjetorit të vitit 1991 për Kosovën ka filluar numërimi i epokës së re, të njohur si Epoka e UÇK-së se Adem Legjendarit.
Parahistoria e UÇK-së sigurisht që është shumë më e hershme sesa Formacioni i armatosur i Adem Jasharit dhe kjo është krejt e natyrshme. Atë vit (1991) në Kosovë ishin bërë shumë arrestime, ishin zënë edhe shumë armë. Adem e Hamëz Jashari me Formacionin e tyre të armatosur, ishin në dijeni të këtyre arrestimeve që po i bënte armiku në anë të ndryshme të Kosovës e sidomos në Rrafsh të Dukagjinit. Komandanti i formacionit të armatosur të Drenicës (më vonë i UÇK -së), Adem Jashari ishte i bindur se një ditë forcat armike do t’i shkonin edhe do të trokisnin në Prekazin e Poshtëm, në familjen e tij. Kishte vendosur që t’i priste, ashtu siç dinë të presin trimat! Dhe ashtu ndodhi!
Formacioni po përgatitej që t’i merrte të gjitha masat e nevojshme për mbrojte, pasi ata nuk kishin ushtruar, përgatitur e armatosur që të dorëzoheshin para policisë armike. Ata të gjitha përgatitjet i kishin bërë për të luftuar kundër të të njëjtit armik. Shkuarja e forcave të shumta policore në mëngjesin e 30 dhjetorit 1991 në familjen e Shaban Jasharit, formacionin e armatosur të Adem Jasharit nuk e gjetën të papërgatitur. Që nga orët e hershme të mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes së 30 dhjetor 1991 u zhvilluan luftime në mes forcave policore serbe dhe Formacionit të Armatosur të Adem Jasharit.
Rezistenca e armatosur e 30 dhjetorit 1991 jo vetëm që nuk ishte e rastësishme, ajo s´po bëhej thjeshtë për mbrojtjen e pragut të shtëpisë siç thuhej nga disa aso kohe, por, po bëhej mbi të gjitha për mbrojtjën e trojeve shqiptare, për mbrojtjen e çlirimin e Kosovës. Formacioni ushtarak i Adem Jasharit ishte formuar e përgatitur për çlirimin e Kosovës nga pushtimi i gjatë dhe i egër serb. Ndërsa pushka e Adem Jasharit dhe e çetës së tij ishte kushtrimi i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për popullin e Kosovës, se koha e luftës çlirimtare kishte ardhur.
30 dhjetori i vitit 1991 është Dita që shënon fillimin e Kthesës së Madhe të Lirisë e të Pavarësisë së Kosovës! Pa guxim për të luftuar, liria nuk fitohet. Frika nuk sjell liri. Koha dëshmoi se Adem Legjendari pati të drejtë!
Lavdi Jasharëve legjendarë!
Lavdi Adem Legjendarit.
Lavdi dëshmorëve e martirëve të Kombit!