11 artistët e skenës shqiptare që humbëm jetën në 2019

0
269
Këtë vit u ndanë nga jeta shumë artistë të mëdhenj që kanë kontribuar në artin shqiptar e që do mbeten gjithnjë në kujtimet tona.
Në maj u nda nga jeta një prej parodistëve të famshëm të Vlorës, Muhamet Lika. 65-vjeçari kishte shkuar për kurim në Itali, pasi vuante prej kohësh nga sëmundja e zemrës. Lika numëron plot 41 vite në skenën e humorit shqiptar dhe është vlerësuar së fundmi me titullin “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Shqipërisë.
Në korrik u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare aktorja e njohur Valentina Caci e cila për kontributin e saj në skenën korçare, i është dhënë titulli, ‘Artiste e Merituar’. Disa nga rolet më të njohura të saj janë roli i Nekies në komedinë ‘Zonja nga qyteti’ dhe komedinë ‘Shoqja nga fshati’.
Në gusht të këtij viti kinematografia shqiptare humbi një tjetër emër të njohur, aktorin Shpëtim Zani i cili u nda nga jeta si pasojë e një ataku kardiak. Zani njihet me emrin “Coli” tek filmi “Debatik”. Ai luajti vetëm një rol në jetën e tij, ku spikati si një jetim i varfër i cili arriti të lajmërojë mësuesin komunist që është në kurth, ndërsa vritet në një moment tensioni.
Në gusht u nda nga jeta edhe regjisori i njohur Gjergj Xhuvani. Ai ndërroi jetë në një spital në Romë pas një sëmundjeje të rëndë. Xhuvani ishte regjisor, skenarist dhe producent shqiptar. Ai e realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi” në vitin 1991. Xhuvani do të mbahet mend si autor i disa filmave të suksesshëm të pas viteve 90’, si “Lindje, Perëndim, Lindje”, “I dashur Armik” dhe “Dashuria e Fundit”.
Në shtator ndërroi jetë pas një ataku kardiak, vëllai i aktores Yllka Mujos, Agim Mujo. Aktori u nda nga jeta në moshën 63-vjeçare në Romë të Italisë ku jetonte që prej vitit 1990. Agim Mujo luajti në disa filma shumë të njohur mes të cilëve “Malet me blerim mbuluar” ku interpretoi bashkë me motrën e tij Yllkën.
Në tetor arti shqiptar humbi një nga aktoret më të njohura të viteve ’90, Shpresa Bërdëllimën. Aktorja u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare. Shpresa e njohur si “Zonjusha Gajtan” nga roli në filmin “Vajzat me kordele të kuqe”, nuk arriti ta fitonte betejën më sëmundjen nga e cila vuante. Aktorja ndërroi jetë në Belgjikë, ku jetonte prej vitesh me familjen. Disa nga filmat ku ka luajtur Shpresa Bërdëllima janë: “Vajzat me kordele të kuqe, Përtej mureve të ngurta, Era e ngrohtë e thellësive”, etj
Në nëntor u nda nga jeta aktori i njohur i Teatrit të Durrësit, Josif Koçi. Aktori u nda nga jeta parakohe në moshën 65-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur Teatri i Durrësit duke shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit.
Po në nëntor u nda nga jeta rapsodi i njohur dibran Sherif Dervishi. Ai u shua në moshën 58-vjeçare pas një beteje me kancerin. Dervishi ishte i njohur për këngët popullore rapsodike, popullore të Shqipërisë së Veriut dhe popullore folklorike.
Aktorja e cila njihej si “Gjyshja e përrallave”, Marika Kallamata u nda nga jeta këtë dhjetor. Ajo u largua në moshën 89-vjeçare. Kallamata ka luajtur në disa filma ku më të spikatur kanë qenë rolet e saj si: Ortensia, Aspasia, Mara, Fallxhesha, Nina, Ana, Nekija. Ajo është vlerësuar me urdhrin “Naim Frashëri” dhe “Artiste e Merituar”.
Aktorja shumë e njohur nga filmi “Përrallë nga e kaluara”, Mira Minga Jupi u nda nga jeta këtë muaj. Aktorja ndërroi jetë në SHBA, ku jetonte prej 19 vitesh. Lajmin e bëri të ditur mikesha e saj Shegushe Bebeti e cila tregoi se aktores nuk mund t’i jepet lamtumira e fundit në atdhe.
Gjithashtu aktorja e mirënjohur shqiptare, Eva Pëllumbi u nda nga jeta këtë muaj Dhjetor. Eva njihej për rolin e pinokut në Teatrin e Kukullave dhe rolet në kinema si tek “Kapedani”, “Vajzat me kordele të kuqe”, “Ëndërr për një karrige” etj. Për shumë vite Eva jetoi në Gjermani. Në një intervistë vitin e kaluar ajo u shpreh se nuk u vlerësua kurrë për artin që bënte pasi shpesh i hiqnin emrin në filmat ku mbante role kyçe./Xing.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here