Një tjetër ‘goditje’ për Ramën/ VOA: Korrupsioni në Shqipëri në nivele të larta, ja si bëhet…

0
112

Kryeministri Edi Rama u angazhua të hënën se qeveria është përballë sfidës së rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit, që shkaktoi 51 të vdekur, thuajse 1 mijë të plagosur, mijëra banesa të shkatërruara.

“Kurrë më parë një qeverie të Shqipërisë, nuk i ka rënë në kurriz një barrë kaq e madhe sa ky rindërtim masiv në një garë marramendëse me kohën. Por do t’ia dalim me se s’bën, sepse sot jemi më të fortë se sa përpara tërmetit” – tha zoti Rama në një videomesazh në rrjetet sociale.

Ai tha se brenda vitit 2020 çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale, duhet të hyjë në një banesë të re, më të mirë sesa ajo që ka humbur.

“Shkollat, kopshtet, spitalet, qendrat shëndetësore të dala jashtë funksioni, duhet të rindërtohen nga e para deri në shtatorin e ardhshëm. Në sezonin e ri shkollor 2020-2021, fëmijët e shkollave të rrënuara, duhet ta nisin mësimin në shkolla të reja, me kushte shumë më të mira sesa ato që kishin përpara tërmetit”.

Mëngjesin e 26 nëntorit një tërmet i fortë goditi ultësirën perëndimore të Shqipërisë, duke marrë 51 jetë njerëzore në Thumanë dhe Durrës dhe duke shkatërruar dhjetëra pallate në një zonë të gjerë ish-kënetore, që përfshiu lagje të tëra nga Tirana e deri në Lezhë.

Tërmeti la pas mijëra të pastrehë nga dëmtimi i 8 mijë pallateve dhe banesave në tre qarqe, Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Shkalla e dëmit mendohet të jetë disa qindra milion euro.

Një buxhet i varfër si ai i Shqipërisë, shifra jopremtuese e rritjes ekonomike dhe borxhi i lartë publik do ta bëjë ringritjen një rrugë të gjatë dhe e vështirë.

Pas kapërcimit të emergjencës së parë dhe në mesin e gjendjes së jashtëzakonshme, Shqipëria po pret nga fundi i janarit frytet e një konference ndërkombëtare donatorësh, ndonëse autoritetet ende nuk kanë publikuar një bilanc të plotë të dëmeve dhe nevojave.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama premtoi se vitin tjetër do të vihet përpara lupës së ligjit të çdo pasurie, që buron nga krimi e trafiqet e çdo lloji. Për këtë, ne jemi gati për ofensivën më shembullore ndaj botës së krimit dhe kapedanëve të asaj bote, të cilët do t’i përballim me Forcën e Ligjit.

“Me të nisur viti i ri, tërmeti i shtetit do të bjerë në themelet e botës së krimit që i bëjnë karshillëk komunitetit, shoqërisë dhe këtij vendi, i cili nuk e meriton njollën e pisllëkut të tyre në sytë e botës. Kush ka kryer krime duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë, ose duhet ta humbasë pasurinë” – tha zoti Rama.

Administrata shqiptare vlerësohet nga studime të ndryshme si një ndër më të korruptuarat në rajon dhe në kontinent. Vëzhgime mbi perceptimin e qytetarëve ndaj kësaj dukurie arritën në përfundimin se grupet e perceptuara si më të korruptuara nga publiku vazhdojnë të mbeten gjyqtarët, prokurorët, nëpunësit e doganave dhe tatimeve, nëpunësit e administratës së drejtësisë, partitë politike dhe drejtuesit e tyre.

Studimet zbuluan se korrupsioni i vogël me dhurata nën dorë ia ka lënë vendin korrupsionit të lartë e të sofistikuar nëpër labirintin e kontratave të pakuptueshme dhe marrëveshjeve të fshehta. Afro gjysma e qytetarëve të anketuar u shprehën që administrata u ka bërë presion për rryshfet në këmbim të shërbimeve publike. Po ashtu gjysma e të anketuarve pohuan se kanë dhënë rryshfet për të marrë shërbime publike. /VOA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here