Nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Në folenë e teknikës
– Jo, nuk kam punuar me Edin, – reagoi duke qeshur Gentjan Hasani ndaj pyetjes nëse punonte prej kohësh me Edin, si ndihmës i tij në Teatrin Kombëtar e jashtë tij.
– Nuk jam as teknik ndriçimi e as teknik zëri. Nuk kam lidhje fare me ndriçimin, zërimin e me teatrin, – shtoi ai duke e thelluar edhe më tej habinë.
– Kam ardhur këtu si protestues në shkurt 2018 e mbeta pastaj. Nisa të ndihmoj në përgatitjen e protestave, me mikrofonët, audion, karriget. Por vetëm kaq.
Askush nuk do ta thoshte dot sot që Genti nuk është teknik ndriçimi e zëri. Pas gati 50 aktivitetesh në teatër, ai dashur-padashur përmes punës ka fituar mjeshtrinë që dikush tjetër e ka marrë me shkollë politeknike elektrike dhe e ushtron në mjedis teatror, por jo për të ndihmuar protestën sikurse do të mund ta bënte… po të donte.
– Po me çfarë merresh në jetën tënde? – ishte pyetja logjike që pasoi diskutimin me të.
– Kam një dyqan biçikletash, riparoj biçikleta. Dyqanin e kam te Pazari i Ri, jam afër pra, kështu që vij shpejt kur ka nevojë e më marrin në telefon.
Dhe është parë kjo kushedi sa herë, ndihma urgjente, prania thuajse e menjëhershme e Gentit, ardhja e pabujshme e tij dhe vrapi për tek halli për t’u zgjidhur, për të ndezur dritat kur vijnë turistë, për të asistuar Edin nëpër shfaqje, për të ndriçuar sallën me porositë e Edit kur Edi e ka të pamundur, kur ka nevojë për të nisur gjeneratorin, kur ka nevojë për të bërë furnizim me naftë të gjeneratorëve, kur… kur…
Genti mbi triçikël duke shkuar apo duke u kthyer nga furnizimi me naftë, është një pamje që të gjithë si protestues e kanë ndeshur të paktën një herë.
Mbase mësimi i teknikës së ndriçimit e pasioni i rritur për teatrin e mbrojtjen e tij, do t’i shërbejë Gentit për të menduar për një tjetër drejtim profesional në të ardhmen pas protestës. Mbase, ku i dihet. Qenia i qetë e punëtor, janë cilësi të mbara për një mjeshtër të mirë. Deri atëherë e sa teatri të jetë ende në mbrojtjen e qytetarëve, e sigurtë është që do të shihet edhe shumë herë të tjera kjo skenë:
Aktorë e personazhe që interpretojnë, ndalen, diskutojnë, lëvizin, në skenë, në plate, në lozha, të freskët apo të lodhur. Një regjisor, një regjisore e ndihmës të tyre, ndjekin me kujdes gjithçka ndodh dhe sipas origjinës së tyre, thërrasin në shqip, anglisht, italisht e pse jo edhe gjermanisht:
– Më shumë dritë… light in the stage, please! C’è bisogno di luce qua! Mehr Licht, bitte! Më shumë volum… increase the volume! Non si sente… Ich kann von hier gar nichts hören… dhe në pritje, vëmendja e tyre kthehet drejt folesë së teknikës ku Genti i ka bërë vend vetes që të punojë.
Teksti: Lindita Komani
Fotot: Elvis Kazazi