Nga Tritan Shehu.
Me gjithë insistimet e opinionit, nuk ka një shtjellim zyrtar për çfarë ndodhi ndaj një qytetari turk me atë mënyrë skuthesh e pa vendim gjykate, natën e 1 janarit, kur të gjithë pushonin, ditën e pare të Presidencës së OSBE.
Unë nuk e di për çfarë akuzohet ai mbas kryerjes së dënimit, këto janë çështje që i takojnë drejtësisë. Mua më intereson se sa në vendin tim respektohen standartet evropiane, ligjet, konventat, sa ai është sovran në zbatimin e tyre, që janë tregues të demokracisë e dinjitetit të çdo shteti, elementë që Rama i ka deformuar e futur Shqipërinë nën vasalitete, ndesh me rrugën tonë perëndimore.
Këto pasqyrojnë dhe nivelin e të drejtave e sigurisë ndaj çdo shtetasi shqiptar përballë arbitraritetit, lidhen direkt me procesin tonë drejt Brukselit.
«Rrëmbim personi» është në këto kushte, deduksioni i asaj që ndodhi mbi bazën se çfarë mediat vendase e turke paraqitën, argumentimit të avokatit, nxitimit ekstrem nga Policia a dikush tjetër si dhe mbas belbëzimeve të institucioneve!
Në një situatë të tillë të ngjashme me atë të Kosovës, është i domosdoshëm hetimi nga Prokuroria, këmbëngulja nga opinioni për trasparencë, involvimi i Presidentit të Republikës si dhe i institucioneve ndërkombëtare përfshirë OSBE-në.
Këmbanat po bien për të gjithë!