Nga Dritan Kaba
Arena politike ndërkombëtare ka pësuar ndryshime thelbësore këto vitet e fundit. Forca të reja politike janë shfaqur fuqimisht në të dyja anët e spektrit politik. Ato kanë një qasje shumë të ndryshme për çështjet kryesore që prekin këto vende, ndryshe nga partitë tradicionale, që sillen sikur kanë frikë nga ndryshimet. Mënyrat si i drejtohen qytetarëve të vendeve të tyre dhe votuesve respektivë, këto parti apo grupime politike kanë sjellë një risi në fushën e të bërit politikë. Forcat tradicionale, që kanë frikë ndryshimin e status quo po mundohen që nëpëmjet kontrollit të mediave dhe përdorimit të pushtetit, që e zotërojnë prej një kohe shumë të gjatë, po përpiqen të zvogëlojnë ndikimin publik të forcave të reja. Por ka edhe nga ato parti tradicionale që po përshtaten me ndryshimet dhe kërkesat që kanë qytetarët e tyre. Në shumë vende të BE forcat që kanë frikë të përshtaten me ndryshimet politike dhe kërkesat e qytetarëve të tyre po bashkëqeverisin me forca politike, që në pamje të parë nuk kanë asgjë të përbashkët mes tyre. Kjo vetëm në shërbim të mbajtjes së pushtetit. Forcat të cilat nuk po përshtaten me ndryshimet e ndodhura zgjedhje pas zgjedhjesh po njohin rënie të elektoratit të tyre, ndryshe nga ato parti politike, që kanë gjetur çelësin e ndryshimit. Në këtë arenë të re ndodhen edhe forcat politike shqiptare, të cilat duhet të përshtaten jo vetëm me realitetet e reja, por edhe me proceset integruese që e presin Shqipërinë. Këndvështrimet e tyre duke përcaktuar, jo thjeshtë përkatësinë në grupet e partive evropiane, por edhe vlerave apo vizionit politik për të ardhmen e kontinentit. Në këtë arenë politike janë edhe qëndrimet e tjera që njihen si forca politike sovraniste, të cilat kërkojnë një ndryshim të thellë të sistemit të deritanishëm evropian shumë burokratik, të pazgjedhur direkt nga qytetarët dhe që nuk përfaqëson realisht interesat e qytetarëve evropiane dhe janë shumë larg tyre. Administrata e Brukselit është kthyer një makineri, që mezi lëviz dhe peng i drejtuesve të emëruar si pasojë e llogarive politike në Parlamentin Evropian. Por kemi edhe forcat politike evropiane që duan më shumë pavarësi në vendimarrrje nga Brukseli, të cilat nuk e pranojnë diktatin e burokratëve apo grupeve financiare që nëpërmjet interesave të tyre komandojnë pas perdes zhvillimet ekonomike dhe politike. Brexit është një tjetër këndvështrim politik dhe vendimarrje e re politike në Evropë. Konservatorët britanikë patën një fitore të pastër, të thellë edhe të qartë në zgjedhjet e muajitdhjetor të 2019. Ato u konsideruan si një referendum i dytë i Brexit. Britania njihet jo vetëm për aleancën e ngushtë me SHBA, por edhe për ndikimin e saj dominant në shumë vende të Botës. Në SHBA Partia Republikane ka forcuar qëndrimet e saja në forcimin dhe përkrahjen e shtyllës kurrizore të Kombit, siç konsiderojnë ata, shtresën e mesme, fermerët, biznesin e vogël dhe të mesëm.Gjithashtu pas fitores së Presidentit Trump vështrimi i politikës amerikane dhe Shtëpisë së Bardhë është drejtuar në aspektin ekonomik, duke ulur ndjeshëm taksat për të rikthyer industrinë amerikane në vend. Kjo politikë ka sjellë një rritje të madhe ekonomike, papunësia është ulur ndjeshëm sa ka kapur nivelet e 50 viteve më parë. Kjo qasje e re politike duke mbrojtur prodhimet amerikane gjithashtu është shoqëruar me një luftë kundër emigrantëve të paligjshëm dhe reformave të thella në shumë aspekte të ekonomisë. Gjithashtu rishikimi i marrveshjeve të mëparshme ekonomike si ajo me Kinën apo e tregëtisë me Kanadanë dhe Meksikën kanë sjellë një rritje të eksporteve amerikane sidomos të produkteve të fermerëve amerikanë.
Në këtë këndvështrim të ri të zhvillimeve politike tek aleatët strategjikë të Shqipërisë duhet të drejtohet edhe vëmëndja e partive politike shqiptare. Gjatë këtyre 30 viteve pluralizëm, Shqipëria ka bërë përparime në pluripartizmin e krijuar, megjithatë tranzicioni i saj demokratik ka qenë i gjatë dhe i mbushur me sfida, që i kanë lënë popullit shqiptar një ndjenjë të thellë zhgënjimi dhe apatie ndaj politikës dhe partive politike në vend. Ndërsa performanca e dobët ekonomike dhe korrupsioni në nivele shumë të frikshme, sidomos gjatë viteve të fundit, ka penguar përparimin e vendit në një sërë drejtimesh, duke përfshirë çeljen e negociatave me BE, zhvillimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik. Skemat korruptive të PPP apo tenderat pa garë, ku fituesi është i përcaktuar më parë kanë sjellë edhe zhgënjim, jo vetëm tek shtresa e mesme por edhe tek biznesi në përgjithësi. Një pjesë e tyre, jo e vogël, po i drejtohen emigrimit dhe investimeve të resursve të tyre ekonomike jashtë vendit, gjë që ka sjellë uljen e investimeve dhe vendeve të punës, duke sjellë kështu një emigrim masiv.
Mungesa e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese dhe paracaktimet e tenderave kanë sjellë mungesën e investimeve të huaja në një shkallë të frikshme. Zgjedhjet e kontestuara, të vjedhura ose të blera kanë rritur mosbesimin tek politika nga qytetarët. Ato kanë sjellë jo vetëm zhgënjimin e qytetarëve, por kanë zbehur pritshmëritë dhe shpresën e tyre për ndryshim.
Zgjedhjet e blera dhe me rezultat të manipuluar kanë pasur edhe një ndikim shumë të dëmshëm në krijimin e idesë se vota është e pa vlerë dhe është lehtësisht e manipulueshme. Kthimi ibesimit tek vota është një nga detyrat më prioritare e partive, që e duan ndryshimin dhe e vendosin qytetarin të parin.
Partitë politike kanë pasur një ndarje ideologjike në të majta dhe të djathta pa shumë ndryshim në esencë dhe politikbërje. Bunkerizimi i partive, moshapja e tyre drejt këndvështrimeve të reja kanë sjellë apati dhe frikë nga ndryshimet e domosdoshme. Hapja e tyre ndaj qasjeve të reja, debatit të brendshëm, rritjes së përfaqësimit të grupeve të interesit, të cilët sipas partive përfaqësojnë, do të krijonte hapësira dhe rritjen e besimit ndaj tyre. Në këtë aspekt fondacioni Westmister për Demokraci në Shqipëri ka sjellë një risi dhe ka filluar një proces për të ndihmuar partitë politike në qasjen e tyre ndaj votuesit, ndaj qytetarit. Në platformën e tyre ata këmbëngulin për një hapje reale të partive, ku thelbësore është angazhimi i mendimit të akademikëve, shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Debatet e hapura, idetë dhe diskutimet rreth interesave kombëtare dhe të shtresave, që ata përfaqësojnë do të sjellë edhe demokratizimin e jetës së brendshme të partive politike. Isha pjesmarrës në një aktivitet të Fonadacionit Westminster, të zhvilluar në bashkëpunim me LSI. Projekti i tyre ishte shumë konkret dhe për të rinjtë, që dëshirojnë të merren me politikë ishte një universitet, ku eksperienca e sjellë nga Fondacioni do i ndihmojë shumë në rritjen e tyre dhe përçimin e ideve të tyre në partitë ku aderojnë.
Shikimi retrospektiv dhe perspektiv i asaj që LSI ka mëtuar të prodhojë në politikë demostron risitë e saja të veçanta nga partitë e tjera të spektrit politik në Shqipëri.Orientimi drejt kauzave principiale dhe dimensioni social i spikatur kanë qenë dy dimensione, që ajo ka zhvilluar në një sfond politik të vështirë ku protagonizmi elektoral në dëm të përmbajtjes i partive të tjera ka dominuar skakierën politike. Vështrimi analitik i Westminster Foundation evidenton se këto kauza i kanë dhënë identitet LSI, por presioni për rezultatet elektorale ka influencuar edhe tek ajo duke mos i dhënë vazhdimësinë e duhur disa kauzave principiale ose konformimin me disa impasse politike që pengonin zhvillimin politik. Konseguenca dhe vazhdimësia drejt kauzave madhore duhet të jetë dimensioni me të cilin nuk duhet bërë asnjë kompromis për t’i ndjekur deri në fund, pa rënë pre e deformimit antiideologjik majtas djathtas, i cili ka pushtuar politikën duke forcuar risinë, që LSI si projekt politik ka kërkuar të sjellë.
Partitë politike shqiptare apo lëvizjet e reja politike duhet të kenë parësore interesat e qytetarëve dhe jo të lojës për karrige të pushtetit. Vetëm kështu ato mund të kthejnë besimin e humbur të qytetarëve tek klasa politike.