Prioriteti i Edi Ramës nuk janë pacientët, por pasurimi i paligjshëm’.
Deklarata është bërë mesditën e sotme nga ish-deputetja e PD-së, Oriola Pampuri.
Sipas saj, ‘koncesioni 10 vjeçar i sterilizimit i ka marrë buxhetit rreth 5 milionë euro më shumë, duke u bazuar në kontratën korruptive të firmosur nga qeveria e Edi Ramës’.
‘Koncesioni i sterilizimit është vjedhje e hapur e një shërbimi që shteti mund ta kryente vetë me shumë më pak para. Që kur nisi nga funksionimi, ky koncesion 10 vjeçar i ka marrë buxhetit rreth 5 milionë euro më shumë, duke u bazuar në kontratën korruptive të firmosur nga qeveria e Edi Ramës’, tha Pampuri.
Më poshtë, deklaratë e plotë e ish-deputetes, Oriola Pampuri:
Koncesioni i sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë, njësoj si ai i chek up-it apo ai i laboratorëve, përbën një nga provat më flagrante të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës. Koncesioni i sterilizimit është dëshmi se prioritet i Edi Ramës nuk janë pacientët, por pasurimi i paligjshëm, duke u fshehur pas identiteteve fasadë , të siguruar nga Ilir Beqja.
Koncesioni i sterilizimit është vjedhje e hapur e një shërbimi që shteti mund ta kryente vetë me shumë më pak para. Që kur nisi nga funksionimi, ky koncesion 10 vjeçar i ka marrë buxhetit rreth 5 milionë euro më shumë, duke u bazuar në kontratën korruptive të firmosur nga qeveria e Edi Ramës.
Edhe Urdhri për të kryer më pak operacione, nga ministria e shëndetësisë me justifikimin banal dhe abuziv se janë shteruar fondet është një tjetër rast i hapur abuziv për shpërdorimin e fondeve të shëndetësisë duke ua vënë ato në shërbim të PPP ve dhe koncensioneve, për të favorizuar hapur oligarkët në kurriz të shëndetit të qytetarëve.
Kështu ulja e numrit të operacioneve bën që pacientët duhet të presin në radhë gjë që agravon maksimalisht gjendjen e tyre.
Mjekët vetë kanë denoncuar se kur shteti e bënte vetë sterilizimin kosto shkonte në 2.4 euro për një set kirurgjikal, sot që ky shërbim është dhënë me koncension kushton 190 euro një set kirurgjikal. Pra 80 herë më shumë.
Nëse shteti do të vijonte ta kryente këtë shërbim vetëm për vitin e kaluar për rreth 90 mijë operacione, kosto do të ishte 215 mijë euro. Ndërsa sot për të njëjtin numër operacionesh duhet të paguajmë 17 milion euro, falë qokave që Edi Rama duhet tu bëjë oligarkëve.
Por ajo çka e bën këtë abuzim edhe më të rëndë është fakti që qeveria është e gatshme të lërë pacientët pa shërbim, vetëm që paratë e koncensionit t’i marrë të plota klienti i koncensionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Po ashtu edhe vetë Ministria e financave raporton që kontrata e koncensionit të sterilizimit ka dalë jashtë kontrolli.
Sipas këtij raporti , parashikimi I bërë në kontratë nga qeveria ka qënë i gabuar, pasi në kontratë është 62. 957 ndërhyrje, ndërkohë që vetëm për vitin 2018 janë realizuar 117. 000 ndërhyrje.
Ulja e sasisë së ndërhyrjeve në kontratë është kryer qëllimisht.
Kështu që buxheti I shtetit ka kryer pagesat e detyrimeve për tejkalimin e numrit të ndërhyrjeve gjatë vitit që ishin 610 milion lekë, ose rreth 5 milion euro më shumë të cilat janë paguar në vitin 2019.
Partia Demokratike është e vendosur ta anullojë këtë koncesion korruptiv, që zhvat qytetarët, varfëron buxhetin e shëndetësisë dhe pasuron njerëzit e Edi Ramës.