Për shumë kohë ishin shumë rivalë të fortë, madje u përplasen jashtëzakonisht shumë, si në Kuvend, konferenca për media, tryeza, fushata zgjedhore, e ku tjetër.
Ia përmendën njëri-tjetrit, origjinën, nofkat, vendlindjet, takimet ‘sekrete’ me serbët, pazaret për kufijtë, krimin, korrupsionin, demarkacionin, frikën…
Bëhet fjalë për Hashim Thaçin dhe Albin Kurtin.
E derisa Thaçi, sot është president, Kurti është lider i Vetëvendosjes dhe fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit.
Ata deri dje ishin rivalë e kundërshtarë të fortë, e nesër pritet takimi i tyre i cili mund të konsiderohet edhe si ‘historik’.
Besoj na kujtohet të gjithëve kur Thaçi e quante dikur Vetëvendosjen si ‘Vetëfundosje’, e Kurti këtë të fundit e ka ‘etiketuar’ në një rast edhe si ‘pulë’.
Kjo po ndodh pas ftesës së katërt që Hashim Thaçi ia ka dërguar Albin Kurtit, i cili si duket ka lozur goxha me nervat e presidentit.
Madje takimin për nesër e ka caktuar lideri i VV-së, derisa Thaçi si duket e ka aranzhuar vetëm orën e tij.
Nesër pra do të shihen sy me sy, Thaçi me Kurtin, apo me mirë të themi, ‘gjarpri’ e pret në folenë e tij, ‘kryengritësin e pandreqshëm’ Kurti.
Takimi pritet të ndodhë në orën 15:00, ku Kurti shkon si fitues i zgjedhjeve në zyrën e Thaçit.
Përveç një takimi kuartazie, ky do të jetë takimi i parë mes dy rivalëve të pashembullt të cilët kanë bërë luftë politike të pa kompromis ndaj njëri-tjetrit.
Derisa Thaçi në të shumtën e kohës prej kolltukut të kryeministrit e më vonë edhe presidentit ka hedh akuza e kundër akuza ndaj Kurtit, ky i fundit, kundërshtimet më të mëdha, i ka pasur nga rruga, protestat, por edhe nga pozita e deputetit në Kuvend.
Madje, edhe kur Thaçi është zgjedhur president me ndihmën e LDK-së, që tash VV e sheh si të vetmin partner, pikërisht ishte Kurti me lëvizjen e tij, që duke organizuar protesta të fuqishme e kishte rrethuar ndërtesën e Kuvendit, vetëm që ky i fundit të mos bëhej president.
Por ja që tani rrethanat kanë ndryshuar.
Nesër Albin Kurti shkon ta takoj Hashim Thaçin, i cili në bazë të dispozitave juridike si fitues i zgjedhjeve duhet ta dekretojë këtë të fundi për kryeministër.
Por a do të ndodhë kjo, mbetet të shihet! Megjithatë si duket takimi i parë do të jetë më shumë sa për ta ‘thyer’ akullin e armiqësisë mes tyre.
Derisa Kurtin para takimit me ‘gjarprin’ e pret një sfidë e fuqishme politike për lidhjen e koalicionit me partnerin e vetëm qeverisës, LDK-në e Isa Mustafës.
Ku tani për tani, zgjedhja e kryeparlamentarit i ka prishur matematikat.
Por edhe pse bisedimet duken si në ‘mjegullnajë’ megjithatë nevoja për arritjen e një marrëveshje qeverisëse është e madhe, madje këtë me ngulm po e kërkojnë edhe miqtë ndërkombëtar.
Dita e hënë për Albin Kurtin do të jetë si ‘Dita D’ sa i përket takimit me ‘gjarprin’ dhe finalizimit të koalicionit me Isa Mustafën e LDK-së.
Syri.net Kosova
Tik-taki ka filluar…!