Qindra prej të mbeturve pa strehë në bashkinë e Kurbinit kanë hasur vështirësi në gjetjen e një banese me qira, pasi një pjesë e mirë e qytetit të Laçit u shpall e pabanueshme, ndërsa çmimet e qirave mujore në fshatrat për rreth, janë rritur me 30 për qind.
Nikoll Kolaj prej dy javësh udhëton nga Shëngjini në Laç në kërkim të një banese me qira, por ende nuk ka mundur ta gjejë. Pas tërmetit të 26 nëntori 50-vjeçari është vendosur sëbashku me familjen në një hotel në Shëngjin, pasi pallati ku banonin në lagjen Nr.2 të qytetit të Laçit është shpallur i pabanueshëm.
“Kam aplikuar për bonus qiraje pranë bashkisë dhe na kanë thënë të dalim të kërkojnë për banesë vetë. Prej dy javësh shkoj çdo ditë nga Shëngjini në Laç, duke kërkuar për banesë me qira. S’kam lënë vend pa parë, por ende nuk kam mundur të gjej”, tha Kolaj.
“Shumë shpejt na kanë thënë se do dalim dhe nga hoteli ku jemi të akomoduar. Rrezikoj të ngel jashtë sëbashku me 5 pjestarët e familjes. Se çfarë do të behet me ne nuk e di”, thotë Françesk Krosi, i cili po ashtu nuk ka gjetur banesë.
Kryetarja e bashkisë së Kurbinit Majlinda Cara, i tha BIRN në një bisedë telefonike se asnjë nga qytetarët nuk do të nxirrej nga hotelet pa gjetur banesë me qira. Cara tha se rreth 20 për qind e të pastrehëve kishin gjetur ndërkohë banesa, për të cilat qeveria kompenson qiranë deri në 3 mijë lekë për person në muaj, ajo po ashtu pranoi se në qytetin e Laçit ishte e vështirë të gjendeshin shtëpi për shkak të situatës së krijuar.
Tërmeti i 26 nëntorit, shkaktoi 51 viktima dhe la pas mbi 4 mijë të pastrehë, pjesa më e madhe e tyre në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Ndërsa problemet me gjetjen e banesave me qira dhe çmimet e rritura të tyre u vunë re vetëm pak javë pas tërmetit edhe në qytete të mëdha si Durrësi.
As qytetarët me të cilët BIRN foli nuk kanë shpresë se mund t’ia dalin. Kolaj i tha BIRN se ai nuk kishte mundësi financiare të lëvizte në kërkim të shtëpisë çdo ditë, ndërsa të tjerë thanë se megjithë varravingot nuk kishin gjetur asgjë që u përshtatej.
Dilaver Murati, tha se po jetonte te i vëllai pas tërmetit. Ai tha se kishte aplikuar për bonus qiraje, por çdo gjë që ka gjetur i tejkalonë mundësitëe tij financiare, pavarësisht bonusit prej 9 mijë lekësh që merr familja e tij. “Një banese 1+1 e gjeta 15 mijë lekë në fshatin Sanxhak. Nuk kam mundësi ta marr, pasi shteti na ofron vetëm 9 mijë lekë. S’kam me se ta paguaj dhe po kërkoj për të gjetur në një vend tjetër më lirë”, thotë Murati.
Të gjendur në një situatë të tillë banorët e pastrehë kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për t’u siguruar banesa me qira, pasi vetë e kanë të pamundur t’i gjejnë.
“Të ndërhyje shteti për të na siguruar banesa. Nuk duam para në dorë t’i paguaj shteti vetë banesat dhe të na strehojë, pasi nëse nuk do ndërhyjnë ne do ngelim jashtë. S’kam lënë vend pa kërkuar dhe s’kam mundur të gjej askund ne Laç shtëpi me qira” thotë Dava Gjergji.
Por kryebashkiakja Cara i tha BIRN se qytetarët duhet t’i gjejnë vetë banesat.
Ndërkohë agjensitë imobilare pranojnë ndryshimin e menjëherëshëm të çmimit me gati 30 për qind. “Ne Laç numri i banesave me qira është shumë i kufizuar për shkak se pjesa më e madhe e pallateve janë dëmtuar nga tërmeti dhe çmimi i qirave është rritur shumë. Nëse një apartament 1+1 ka qenë 130 mijë lekë të vjetra, ka shkuar 150-160 lekë. Ndërsa një apartament 2+1 ka qenë 160 mijë lekë të vjetra, ka shkuar në 180-200 mijë lekë të vjetra” thotë Sokol Ndoci, punonjës i një agjencie imobilare në Kurbin. /Reporter.al