Një grua është gjendur e vdekur në fshatin Gjerbes, në Mallakastër, ndërsa ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 5 janar.
Sipas raportimeve paraprake, grabitësit kanë shkuar për të grabitur në banesën e viktimës por pasi janë pikasur kanë marrë me vete gruan, të cilën më pas e kanë vrarë.
Mësohet se ngjarja e ka marrë zanafillën kur tre të rinj, kanë shkuar për të grabitur pranë familjes së gruas, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, duke menduar se në këtë të fundit nuk kishte njeri.
Pasi kanë hyrë brenda territorit të shtëpisë, të rinjtë janë pikasur nga e zonja e shtëpisë e cila mund edhe ti ketë njohur. Fill pas kësaj, autorët mësohet se e kanë marrë gruan, e kanë lidhur dhe trupin e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit.
Por këtë të martë, pasi kanë kërkuar gjithkund, familjarët kanë shkuar pranë rezervuarit ku kanë gjetur edhe trupin e pajetë të gruas, të lidhur me litar.
Raportohet se, deri tani janë shoqëruar nga policia tre persona, të cilët po merren në pyetje, ndërsa vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.