‘Kurrë paqe me Ramën’/ Paloka: Ja pse opozita u detyrua të bëjë dy “armëpushime”

0
149

Opozita u detyrua të bëj dy “armëpushime” për interesa madhore, por nuk ka bërë kurrë paqe me Ramën”. Kështu shprehet Edi Paloka, nënkryetar i PD-së, i cili thekson se për bindjen e tij personale, Edi Rama kurrë nuk do të lejojë me vullnetin e tij që shqiptarët të zgjedhin lirisht e në mënyrë demokratike, prandaj për t’ju krijuar këtë mundësi shqiptareve Rama duhet detyruar edhe më forcë!”.

Paloka shpjegon se armëpushimi i parë kishte të bënte me vendimin e BE për të mos i hapur negociatat Ramës dhe vendosja e 9 kushteve si detyrim ndaj qeverisë, por dhe me një kërkesë për angazhim të opozites në realizimin e reformës zgjedhore.

“Më pas katastrofa që shkaktoi tërmeti i 26 nentorit e angazhoi opozitën në detyra të natyrës humanitare.

Nuk ka patur kurrë asnjë tërheqje të opozitës në qëndrimet e saj ndaj kësaj qeverie, aq me tepër kur “Rama Ik” është bërë tanimë lajtmotiv i shumicës së shqiptarëve që jehon nga rruga, në stadiume e kudo!”, thotë ai.

Në një intervistë për Koha Jonë, Paloka, shprehet se lëvizjet e forta të opozitës në 2019 dhanë rezultatet e tyre jo të vogla.

“Për këtë mjafton të krahasohen politikisht periudhat e dy viteve. Sot të gjithë thonë se Rama ka rënë po ka nga ata që harrojnë se ky është kontributi i opozitës.

Djegia e mandateve mëgjithëse e kontestuar fillimisht (jo më tani) bëri që minimalisht të rikthehej vëmendja tek rreziku që i kërcënohet demokracisë në Shqipëri.

30 qershori do të ishte goditja e fundit ndaj propagandes dhe demagogjisë së Rames i cili, pavarsisht situatës, vazhdonte të fliste për “krizë të opozitës që nuk kishte mbështetje në popull e prandaj kishte frikë të përballej me Ramën në zgjedhje…”, thotë Paloka.

Sipas tij, Rama me rrugën që po ndjek veçse po thellon varrin e tij politik.

“Lëvizjet e tij i ngjajnë përpjekjeve të dëshperuara të Ramiz Alise në ‘91 kur me ligje e dekrete represive kërkonte t’i zgjaste jetën rregjimit. Në fakt shqiptarët i morën zvarrë atëhere dhe monumentet e diktatorit dhe kufomat që vazhdonin të ishin në krye të rregjimit. Për mua, ky fat e pret dhe Ramën nëse vazhdon në këtë rrugë. Unë nuk mendoj se ka në PD apo dhe në opozitë nga ata që janë kundër përballjes me një pushtet të krimit si ky që përpiqet të mbajë Rama”, tha ai.

Paloka shprehet se brenda pak ditëve opozita do të paraqesë propozimet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor duke plotësuar kështu dhe këtë detyrim të saj.

“Ndërkohë Rama, që e ka të qartë se plotesimi i kushteve të Bundestagut, praktikisht sjell largimin e tij nga pushteti, po bën çdo gjë për të penguar reformen zgjedhore me shpresë se kështu do të shtyjë dhe zgjedhjet e parakoheshme.

Në fakt edhe ai e ka të qartë se kriza nuk mund të zgjatet më shumë dhe zgjidhja e saj vjen vetëm nëpërmjet zgjedhjeve. Çdo rrugë tjetër do të kishte pasoja të rrezikshme. Në këto kushte unë nuk mund të percaktoj në se dhe kur do të fillojnë protestat, por e them me siguri se në se Rama i heq të drejtën dhe këtë shanc të fundit vetes për të vepruar si një njeri normal (se ti kërkosh të veprojë si shtetar është shumë) atëhere sigurisht që do të përballet me forcën. Rrugë tjetër nuk ka!”, shprehet ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here