Imzot Angelo Massafra ka folur për herë të parë për problematikën e pronave të komuniteteve fetare.
Duke u ndalur tek pronat që i përkasin kishës, Massafra tha se mungon vullneti politik për të zgjidhur problemet.
Kisha katolike ka rikthyer edhe një herë problemin e kthimit të pronave. Imzot Massafra, Arqipeshkvi i Dioqezit Shkodër-Pult i bën apel shtetit që siç ju janë marrë, ashtu dhe t’iu kthehen pronat, komuniteteve fetare.
Këtë deklaratë, ai e bëri gjatë kremtimit të 23 vjetorit të shugurimit të tij si Ipeshkv në Shqipëri nga Papa Gjon Pali i II-të.
“Ka shumë padrejtësi, mungon një farë vullneti politik si duhet, nga të gjithë. Unë nuk dua të fajësoj askënd. Mungon vullnet politik për të zgjidhur problemet. Si kanë marrë vendim politik për t’i sekuestruar gjithçka, ashtu edhe të merret vendim politik të kthehet, ajo çka është e kishës ti kthehet kishës, e gjitha komuniteteve tjera fetare, sepse edhe ato i kanë problemet që i kemi ne”, u shpreh ai.
Në mesazhin e tij Massafra u shpreh se gjatë këtyre 28 viteve, Shqipëria ka bërë përparime, por do duhej të ishte bërë më shumë.
“Me thënë të drejtën, pavarësisht tërmetit që na ka prishur shumë gjëra por kjo nuk varet nga ne. Kemi bërë hapa të mëdha. Nga 1 dhjetori i 1991 kur unë kam ardhur për herë të parë në Shqipëri, pavarësisht nga shugurimi ipeshkvnor, deri sot kemi bërë hapa të mëdha në kishë në shoqëri. E them gjithmonë në vizitat baritore. Por problem është se do duhej të ishte bërë më shumë, nëse do kishim qenë më shumë të dashuruar me Zotin”, u shpreh Imzot Massafra.