Përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Désir foli për mediat shqiptare në Vjenë edhe njëherë për ligjin e miratuar së fundmi në Kuvend, të njohur ndryshe si paketa anti-shpifje.
Zyrtari i lartë i OSBE pranoi se është dhënë mbështetja për shumë amendamente në këtë ligj, por shtoi se do t’i kërkohet qeverisë një akt nënligjor për çështjen e gjobave ndaj mediave që ato të jenë proporcionale.
“Për ligjin kundër shpifjes së miratuar nga qeveria shqiptare fundvitin e kaluar, kemi dhënë mbështetjen tonë me disa amendamente. Sot kemi diskutuar për lirinë e medias, për ta garantuar atë. Ajo duhet të respektohet. Do t’i kërkojmë qeverisë hartimin e një akti nënligjor për paketën anti-shpifje që gjobat ndaj mediave që shkelin ligjin, të jenë proporcionale. Në rishikimet e bëra nuk janë përmbushur kriteret që ka vendosur OSBE. Përsa i përket AMA-s, ndryshimet e fundit duket se kanë sjellë një reflektim të kërkesave të OSBE, por ajo duhet të sigurojë që të jetë një organ i pavarur, përndryshe do të humbasë besueshmërinë e saj”, tha Desir për A2.
Ndërkohë sot nga Vjena kryeministri Edi Rama tha se ligji është sipas rekomandimeve të OSBE.