Një pako, e mbështjellë me natriban të zi, që dyshohet se përmban sasi eksplozivi është gjetur tek varrezat murale të ushtarëve grekë tek Manastiri i Këlcyrës. Një hetim ka nisur lidhur me ngjarjen, ndërkohë që policia ka shoqëruar rojen e varrezave.
Specialistët anti-eksploziv nga Tirana janë nisur drejt manastirit.
Rivarrosja e 578 ushtarë grek në manastirin e Këlcyrës
Në Tetor 2018, rivarrimi i eshtrave të ushtarëve grekë të zhvendosur nga parcela në fushën e fshatit Dragot në Tepelenë tek manastiri në grykën e Këlcyrës, u organizua nën masa të forta sigurie dhe pa prezencën e medias.
Ka qenë kjo kërkesë e bërë nga ana e palës greke. Thirrja e organizatave nacionaliste dhe patriotike shqiptare për t’u tubuar në manastirin e Këlcyrës duke ndaluar këtë proces, kishte vënë në alarm jo vetëm autoritetet greke, por edhe ato shqiptare, pasi kishin përqëndruar forca të shumta policore në zonën rreth e rrotull varrezave ku prehen eshtrat e 700 ushtarëve grekë të rënë gjatë konfliktit italo-grek në Luftën e Dytë Botërore.
Kanë qenë gati 578 kuti metalike të mbushura me eshtra të ushtarëve grekë, të cilat janë vendosur në varrezat murale dhe ato tokësore në Manastirin e Këlcyrës. Ato janë transportuar nën masa të forta sigurie nga fusha e Dragotit ku ishin grumbulluar dhe fillimisht janë depozituar në oborrin e manastirit ortodoks të mbuluara me flamurin grek.
Funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke, ambasadorja greke Elenis Surani, kreu i PBDNJ Vangjel Dule, kanë qenë autoritetet më të larta përfaqësuese në ceremoninë e organizuar duke shmangur njëkohësisht kontaktin edhe me mediat.