Çdo ditë po merren jetë njerëzish, por suksesi i policisë është “Zogu i Tiranës”

0
182

Në ditët e para të këtij viti të ri, vendi është tronditur nga 4 ngjarje të rënda kriminale, me 4 viktima. Dy krime në familje dhe dy atentate, që dyshohen nga persona me precedentë të rrezikshëm kriminale.

Krimi në familje goditi që më 5 janar, ku 51 vjeçarja Drita Saliaj u vra në mënyrë makabre nga nipi i bashkëshortit.

Më 6 janar u ekzekutua në Tropojë Agron Gjyriqi, ndërsa më 7 janar u vra në Rrëshen Kastriot Reçi. Dy ditë më pas, mbrëmjen e 9 janarit, u vra nga kunati Enkeleda Çapoku në Paskuqan, edhe pse kishte një urdhër mbrojtjeje.

Pa harruar këtu edhe viktimat e aksidenteve rrugore, që gjithashtu janë të përditshme në vend.

Por lajmet e kronikës së zezë janë ushqyer këto ditë edhe me sagën e përgjimeve të Hermes Nikajt i njohur ndryshe “Zogut të Tiranës”. Nga to vihet re se Policia Kriminale ka shpenzuar mbi 6 muaj kohë për ta mbajtur atë në përgjim dhe vëzhgim.

Por edhe pse vendi është tronditur nga vrasjet mafioze, Policia Kriminale tregon se është e angazhuar fuqimisht vetëm në goditjen e prostitucionit në qendrat e masazheve dhe estetikës, shkruan TVKlan.

Duket se pasioni më i madh për Policinë Kriminale është ta kalojë kohën nëpër këto qendra se të vihet në ndjekje të vrasësve.

“Zogu i Tiranës”, që ka mbushur edhe mediat, duket se është historia e suksesit të policisë sonë.

Në botë, suksesi i një policie matet sa me parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale aq edhe me arrestimin e autorëve të tyre. Ndërsa policisë sonë i ka mbetur “Zogu” në dorë për ta treguar si njësi matëse të punës së saj.

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here