Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte pranë biznesit të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar në zonën e Durrësit, nga ku prezantoi dhe 5 masat e menjëhershme që i kërkoi qeverisë për ringritjen e biznesit në zonat e prekura nga tërmeti.
“Kriza ekonomike që ka përfshirë vendin dhe pasojat e tërmetit, kanë gjunjëzuar biznesin e Durrësit, një prej ekonomive më të rëndësishme të vendit. Shteti deri tani ka qene inegzistent për të ndihmuar në ringritjen e biznesit.
Sot u takova me pronarë dhe punonjës fasonerie dhe të një punishte përpunimi qumështi.
Ata më shprehën shqetësimin e tyre se situata po i çon drejt falimentimit. Shumë punonjës ende nuk janë rikthyer në punë pasi janë detyruar të strehohen larg vendbanimit të tyre në pamundësi të përballimit të kostove të një shtëpie me qira apo të jetojnë në çadra.
Deri tani nuk kanë marrë asnjë bonus qiraje, ndërsa i sorollasin nga njëra zyrë në tjetrën. Bizneset nuk kanë patur asnjë mbështetje nga shteti për dëmet e shkaktuara ndërkohe që duhet të paguajnë taksat e rritura dhe fuqia blerëse është në nivelet minimale.
Mosmarrja e masave të menjëhershme, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë dhe punësimin në Durrës dhe gjithë Shqipërinë.
Edhe njëherë i kërkoj qeverisë të marrë masa të menjëhershme për ringritjen e biznesit në zonat e prekura nga tërmeti duke nisur me:
1.Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura.
- Përjashtimin nga tatim fitimi për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit.
- Pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën deri në rikuperimin e dëmeve dhe pagesat e shtyra të kryhen me këste pas periudhës së rikuperimit.
- Përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve.
- Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, shprehet kryedemokrati Lulzim Basha.