Liderët iranianë po përballen me ditën e dytë të protestave pasi pranuan se ushtarët rrëzuan avionin ukrainas duke vrarë të 176 personat në bord, pjesa më e madhe e tyre iranianë.
Të dielën në Teheran, në sheshin Azadi, u përsëritën përplasjet e ditës së shtunë kur policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e cila hidhte parulla kundër liderit supreme Ajatollah Khameni, rojeve të revolucionit dhe vetë republikës islamike.
Agjentët e policisë kanë qëlluar dhe me armë zjarri sipas disa filmimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale. Njësi antiterror me pompa uji dhe policë janë mbledhur në pika të ndryshme të qytetit, si pranë universiteteve, ndërsa anëtarët e pasdaran patrullojnë rrugët.
Manifestime ka pasur dhe në qytete të tjera iraniane.
Në një akt simbolik, një video tregon disa studentë iranianë të cilët ecin me kujdes për të mos shkelur me këmbë flamujt amerikanë dhe izraelitë të vizatuara në rrugën që çon në një nga universitetet e Teheranit.
Në disa filmime në rrjetet sociale mund të dëgjohen manifestuesit të cilët hedhin parulla kundër qeverisë, duke thënë se armiku nuk është Amerika por armiku gjendet në vendin e tyre.
Presidenti amerikan Donald Trump publikoi në profilin e tij twitter fraza në gjuhën perse për t’iu drejtuar manifestuesve të rikthyer në shesh në Iran kundër regjimit. Këtë herë pas gënjeshtrave të thëna nga qeveria për rrëzimin e avionit ukrainas.
“Ndjek me kujdes protestat tuaja dhe frymëzohem nga kurajoja juaj,” shkruan Trump.
“Popullit guximtar dhe shumë të vuajtur të Iranit: Jam në krahun tuaj që nga fillimi i presidencës sime dhe administrata ime do vazhdojë ‘tju mbështesë. Mos vrisni atë që proteston” paralajmëroi kreu i shtëpisë së bardhë autoritetet iraniane.
Ai shtoi se me mijëra iranianë janë vrarë dhe burgosur nga qeveria e vendit të tyre, dhe tashmë bota i ka sytë nga Irani. Por më e rëndësishmja është sipas tij, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po monitorojnë situatën.
“Zhbllokoni internetin dhe lejojini gazetarët të bëjnë punën e tyre lirisht. Mjaft vratë popullin tuaj të madh,” përfundoi ai.
Ndërkohë ministria e jashtme britanike kërkon shpjegime të qarta për arrestimin e shkurtër të ambasadorit britanik në Teheran. Sipas ministrit të jashtëm britanik Dominik Raab, Irani është në një udhëkryq aktualisht.
Por Teherani nuk pranon se e ka arrestuar diplomatin britanik duke saktësuar se ai është ndaluar vetëm 15 minuta, koha që duhet për të kontrolluar dokumentet dhe për të verifikuar statusin diplomatik.
Kreu i pentagonit Mark Esper u shpreh në një intervistë për CBS se nuk kishte parë asnjë provë të qartë se Irani po planifikon një sulm ndaj katër ambasadave amerikane si pretendohet nga Donald Trump.
Por më pas shtoi se kishte të njëjtin mendim si presidenti për sa i përket mundësisë së sulmeve.
Qeveritë e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, kërkojnë që Irani të respektojë plotësisht marrëveshjet për programin bërthamor.
Me anë të një deklarate të përbashkët thuhet ndër të tjera se dyert për vazhdimin e dialogut mbeten gjithnjë të hapura.