Shqipëria po “ fundoset” dita-ditës nga statistikat e organizatave të ndryshme ku dëshmojnë se investimi në disa sektore, lë shumë për të dëshiruar. Së fundmi përsëri është përfolur për problematikat në fushën ekonomike, të dhëna të cilat përkeqësohen nga një sondazh në tjetrin cka ka sjellë dhe shpopullimin e qytetarëvë duke pretenduar si rrjedhojë për një jetë më të mirë. Në një intervistë për gazetën “STANDARD” ish ministri i bujqësisë Edmond Panariti ka folur për këtë çështje i cili deklaroi se : “Në këndvështrimin tim, ekonomia shqiptare jo vetëm nuk ka rritje, por ajo nuk është as në stanjacion, por në recesion, madje të frikshëm. Ulja e të ardhurave nga TVSH, mos realizimet në dogana pavarësisht dhunës fiskale dhe asaj tatimore janë treguesi më i qartë i këtij fakti. Vendi po tkurret jo vetëm ekonomikisht por edhe demogafikisht”. Po kështu Panariti nuk la pa komentuar dhe bujqësinë, një sektor të cilin e mbuloi si ministër për afro 2 vite e gjysmë. Ai ndër të tjera deklaroi se bujqësia mes vendit tonë , Kosovës dhe Maqedonisë ka një ndryshim rrënjësor “Nuk ka si të jetë ndryshe kur bujqësia te ne merr vetëm 4 milion euro, subvencione, ndërkohe që në Kosovë merr 60 milone euro dhe në Maqedoni 110 milion euro, prandaj ajo po e humbet “luftën” me tregjet e brendshme dhe të jashtme dhe po shkon ne kolaps. Gjithashtu Edmond Panariti komentoi dhe çështje të tjera të “nxehta të aktualiteti politik si : Minishengeni Ballkanik dhe përplasjet për emerimet e reja në gjykatën kushtetuese
Intervistoi :Albina ELEZI
1-Paketa anti-shpifje e miratuar nga mazhoranca është kundërshtuar nga opozita dhe mbarë opinionin publik duke u komentuar si cënim i fjalës së lire, ndërkohë së fundmi kreu i shtetit e ka rikthyer përsëri ligjin për rishikim në kuvend ku rinxehu debatet mes palëve. Si e komentoni këtë projektligj?
Nuk duhet shumë mund për te kuptuar se “de facto” ky është një ligj i censurës së fjalës së lirë dhe i lirisë së shtypit ,i maskuar me kozmetikën “antishpifje”. Kjo nuk përbën për mua surprizë, sepse më goditjen e opozitës se ligjshme të vendit, kapjen në mënyrë antikushtetuese të pushtetit legjislativ dhe uzurpimin me votime farsë të pushtetit lokal por edhe paralizën dhe kapjen progresive të gjyqësorit, i vetmi institucion jashtë kontrollit të pushtetit mbetej fjala e lirë dhe shtypi. Ky ligj ,tashmë i dënuar botërisht nga faktori ndërkombetar dhe shoqëria civile, synon të shtypë dhe prangosë fjalën e lirë dhe mjetin e përhapjes së saj mediat dhe shtypin. Presidenti, e bllokoi dhe e riktheu ligjin sëbashku me apelin drejtuar ligjvënesve ,brenda kompetencave të tij të kufizuara. Por Mungesa e gjykates kushtetuese I jep dorë maxhorancës të “saldojë” antikushtetushmërinë e këtij akti…
2-Statistikat e organizatave vendase dhe atyre ndërkombëtare tregojnë se ekonomia shqiptare po shkon drejt një tkurrje masive duke bërë që shqiptarët të humbasin shpresën për një të ardhme më të mirë . Si i gjykoni këto rezultate?
Në këndvështrimin tim, ekonomia shqiptare jo vetëm nuk ka rritje, por ajo nuk është as në stanjacion, por në recesion, madje të frikshëm. Ulja e të ardhurave nga TVSH, mos realizimet në dogana pavarësisht dhunës fiskale dhe asaj tatimore janë treguesi më i qartë i këtij fakti. Vendi po tkurret jo vetëm ekonomikisht por edhe demografikisht. Ai po zbrazet nga prodhimi, financat dhe nga kapitali më i çmuar që janë njerëzit. Në projeksionin e saj me të fundit demografik OKB parashikon që në fund të këtij shekulli popullsia e Shqipërisë të rrudhet në vetëm 500 mije banore, pra sa gjysma e Tiranës sot. Shqipëria po tretet ! Kjo për mua nuk është spontane por e programuar. Koha do ta tregojë dhe provojë! Sigurisht do të zbrazet nga shqiptarët por do të popullohet nga të tjerë.
3- Bujqësia duket se po has vështirësi të mëdha, ku fermerët dhe pronarët e bizneseve shprehen pakënaqesi ndaj qeverisë. Si ish-minister i bujqësisë si do ta përshkruanit situatën aktuale dhe cilat do ishin pritshmërite tuaja për 2020-tën?
Mjerisht si rrjedhojë e braktisjes, mos financimit dhe mbylljes masive të minifermave, staneve, baxhove,pikave të përpunimit ,bujqësia është tashmë në pikiate. Nga 21% kontribut i saj në prodhimin e përgjithshëm bruto të vendit në 2017 ajo do të rrudhet në 17% në vitin 2020, ndërkohe që po thellon edhe deficitin e saj tregtar me prodhimet e huaja madje edhe aty ku ajo pritej të kishte avantazhe konkuruese si në perime dhe fruta. Nuk ka si të jetë ndryshe kur bujqësia te ne merr vetëm 4 milion euro, subvencione, ndërkohe që në Kosovë merr 60 milone euro dhe në Maqedoni 110 milion euro, prandaj ajo po e humbet “luftën” me tregjet e brendshme dhe të jashtme dhe po shkon ne kolaps. Fshati është fytyra e mjerimit të Shqipërise.
4-Të tjera shifra alarmante flasin për Shqipërine si një ndër vendet më ndotura në Europë. Sipas jush cilat janë faktorët që cuan në këto rezultate?
Nuk është më surprizë që Shqipëria është ndër vendet më të ndotura të Evropës. Madje sipas indeksit të ndotjes, Tirana edhe në fillim të 2020, është kryeqyteti më i ndotur i Evropës, me një index ndotjeje prej 85,6. Shkaqet janë mos klasifikimi dhe mos riciklimi i mbetjeve urbane dhe djegja e plehrave ne incinerator duke kontribuar frikshëm në ndotjen e ajrit, por edhe të tokës dhe bimësisë. Paraliza dhe ngerci, i transportit urban, e cila e ka futur tashme Tiranën në një gjendje “infarkti”si dhe betonizimi i pandalshëm dhe i pa kritertë e qyteteve tona. Sëmundshmëria dhe vdekshmëria nga faktorë mjedisore te ne është sa dyfishi i mesatares evropiane.
5- Një iniciative që ka marre kundërshti të fortë brenda dhe jashte vendit, ka qënë dhe ajo për minishengeni Ballkanik. Mos prania në këtë iniciative e Kosovës , Kroacisë e Bosnjës ka krijuar debate të forta , ndërsa kryeministri është akuzuar për tradhti ndaj interesave të shqiptarëve . Si e shihni ecurinë e këtij proçesi?
Minishengeni Ballkanik, është lëvizje strategjike e Serbisë, për të balancuar mos avancimin e projektit të ndarjes së kufijve Kosovë-Serbi mbi baza etnike që synonte qartazi gëlltitjen e Mitrovicës së Veriut nga Serbia. Njëkohësisht sipas këtij projekti i cili synonte krijimin e shteteve kombe, Serbia synon të zgjidhe edhe çështjen e enklavave të saj në Bosnjë. Prandaj me këtë lëvizje Mini-Schengen, synohet te kompensohet rishikimi i kufijve me krijimin e një poli ri federativ të udhëhequr nga Serbia në Ballkan, si kundër- pedal i dialogut Prishtinë Beograd, i cili duhet finalizohej me njohjen pa kushte te Kosovës në integritetin e saj nga Serbia. Shqipëria duhet të tërhiqet nga hapat e saj në këtë nismë dhe duhet ti marrë ato vetëm në dakordësi me Kosovën.
6- Emërimet e reja për antarët e gjykatës kushtetuese sollën përplasje të ashpra mes presidentit dhe kreut te KED-se mosmarrëveshje të cilat përfunduan në prokurori ku kjo e fundit po bën hetimet përkatëse. Cili është opinioni juaj mbi këto përplasje?
Nuk ka opinion! As hamendje nga askush për ato që shkruhen në Kushtetutën e Shqipërisë! Por ka vetëm detyrim kushtetues për të zbatuar ato që Kushtetuta e Shqipërisë parashikon si substance dhe si radhë veprimesh për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i KED i ka shkelur këto prerogativa kushtetuese dhe duhet të përballet me pasojat ligjore të një veprimi të tillë.