Prokuroria Publike e Hagës në Holandë kërkoi deri në tetë vite burg për një bandë shqiptarësh, të cilët kishin ngritur dy laboratorë droge në qendër të qytetit.
Sipas portalit holandez, NU, prokuroria kërkoi 8 vite burg për një shqiptar 48-vjeçar, të akuzuar si një nga dy krerët e bandës. Drejtësia kërkoi edhe 6 vite burg për një 42-vjeçar holandez; nga 50 dhe 40 muaj burg për dy 31-vjeçarë shqiptarë; 28 muaj burg për një 51-vjeçar bullgar dhe dy muaj burg për një rus 43-vjeçar.
Dy shqiptarë arritën të arratisen për në Belgjikë, por janë kapur atje dhe do të gjykohen më vonë. Një prej tyre, një 32-vjeçar, mendohet se është lideri i dytë i bandës.
Shumica e të arrestuarve ishte vendosur ilegalisht në Holandë. Sipas prokurorisë, ata janë përfshirë në trafik kokaine në shkallë të gjerë.
Laboratori i parë u zbulua më 30 qershor të vitit 2018. Pronari i godinës ku ishte vendosur laboratori kishte shqetësime për qiramarrësit e rinj.
Pas kontrollit, policia zbuloi laboratorin për larjen, prerjen dhe presimin e kokainës. Më shumë se 60 kg kokainë u kap gjatë operacionit.
Menjëherë pas kësaj, policia mori një informacion për një tjetër laborator droge. Ata vendosën nën survejim shtëpinë, prej nga hynin dhe dilnin njerëz me çanta të ndryshme.
Në gusht, policia bastisi shtëpinë dhe gjeti laboratorin e drogës bashkë me 12 kg kokainë. Më shumë se 200 mijë euro u gjetën në banesë.