Nga Luan Rama
Reçaku i Kosovës, njësoj si Srebrenica e Bosnjë – Hercegovinës, është dëshmi e përjetshme krimi shtetëror e një rregjimi kriminal, kundër popullsisë civile e të pambrojtur.
Eshtë dëshmi gjaku e masakrës, që e ushqyer prej filozofisë së doktrinës së shenjtë serbe e mandej e pasuar prej naçertanjes së Ilija Garashanit, tek elaborati i Çubrilloviqit dhe e gjithë të tjerëve pas tyre, deri tek rregjimi i Milosheviqit dhe atyre që e pasuan në krimin më të madh shtetëror në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, synonte zhdukjen e shqiptarëve me dhunë dhe pastrimin etnik të Kosovës!
Reçaku është Kosova martire e gjakut që nuk falet, është bozhuri i luftës për liri, është rrënja e jetës, ushqyer me jetën e shqiptarëve të Kosovës që u masakruan dhe u varrosën barbarisht!
Reçaku është Borova martire e fundshekullit XX.
Dhe njësoj si Borova, është mesazh për të mos harruar kurrë çmimin e lirisë.
Reçaku është aty e aty do të jetë, sa të ketë Kosovë e shqiptarë mbi këtë tokë e mbi këtë dhe që e kemi atdhe.
Ndaj, përkujtimi i masakrës së Reçakut dhe nderimi për ata që u vranë e masakruan, por edhe për familjet e tyre, nuk është e as mund të jetë njē gjest kortezie protokollare.
Nuk është e as mund të jetë një ritual i zakonshëm homazhi, qoftë edhe si homazh shtetëror.
Eshtë një shenjë dhimbjeje e nderimi njerëzor e një kombi të tërë për një sakrificë sublime, për sakrificën që ata shqiptarë të pafajshēm që jetonin në tokën e tyre të babës e të nënës nuk zgjodhën ta bënin, por ua imponuan dhunshëm të urdhëruarit e makinës kriminale të Milosheviqit.
Reçaku është amanet i gjakut në themelet e lirisë së Kosovës, është amanet kombëtar për shqiptarët e të gjithë botës!
Ndaj heshtja e Kryeministrit të Shqipërisë, i cili nuk tha e as nuk shkruajti qoftë edhe një fjalë të vetme në 15 janarin e përkujtimit të dhimbshëm e nderues të masakrës serbe në Reçakun e Kosovës, është e turpshme, është fyese. Në mos më shumë se deklarata e Presidentit të Serbisë që tha se masakra e Reçakut është një trillim, nuk është asnjë grimë më pak.
Duke heshtur, duke mos shkruar asnjë fjalë për masakrën serbe në Reçakun e Kosovës e duke mos dërguar asnjë lule në tokën kur prehen shqiptarët që u masakruan, e ndërkaq, duke kallëzuar në gjykatë Kryeministrin e Kosovës pikërisht në të njejtën datë, në fakt Kryeministri i Shqipërisë, vetëm sa na dëshmoi lakuriqësinë e hipokrizisë së vet dhe pafytyrësinë e të gjithë atyre eunukëve që i shkojnë pas, turpërisht ndër ta edhe ministra prej Kosove, dhe që nuk kanë guxim të distancohen prej kësaj sjelljeje, që vetëm sjellje prej shqiptari nuk është!
Reçaku është amanet.
Reçaku është monument gjaku.
Por Reçaku është edhe akuzë!…