Nga Ilir Meta
Me shumë kënaqësi mora pjesë sot në Akademinë Solemne “Faleminderit Shqipëri”, të organizuar nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, në kujtim dhe nderim të solidaritetit të jashtëzakonshëm mbarëkombëtar, humanizmit dhe dashurisë vëllazërore ndaj shqiptarëve të shpërngulur forcërisht nga makineria ushtarake serbe gjatë Luftës së Kosovës në vitet 1998-1999.
Mirënjohje dhe falenderim të jashtëzakonshëm për çdo shqiptar, veçanërisht për solidaritetin heroik të popullit të Kukësit, pa harruar të gjitha familjet nga Tropoja në Sarandë, që mirëpritën vëllezërit e motrat e tyre nga Kosova, edhe pse në kushte mjaft të vështira ekonomike dhe sociale, duke përballuar me përkushtim, dashuri dhe sakrifica vetëmohuese, një eksod biblik që ka ndodhur shumë rrallë në historinë e një kombi.
Vetëm duke qenë çdo ditë pranë njëri-tjetrit, duke bashkëpunuar gjithmonë e më mirë, padyshim që e ardhmja e Shqipërisë dhe e Kosovës do të jetë shumë e suksesshme!