Së fundmi është folur shumë për fenomenin e shpopullimit si një kambanë alarmi që po bie për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Por nëse ky konstatim është i saktë, mbi arsyet e shpopullimit spekullohet gjerësisht për qëllime dhe interesa të ndryshme.
Tim Judah, reporteri për The Economist, autor i një studimi mbi rënien demografike të rajonit u shpreh në Konferencën e XVI të Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian të shteteve pjesëmarrëse në procesin e stabilizimit dhe asociimit të Evropës Juglindore e cila u mbajt në Tiranë pak ditë më parë, se në rajon paraqitet vetëm njëri aspekt i fenomenit, që është emigracioni. Në bazë të autorit me faktorin emigrim ndikojnë edhe faktorë të tjerë po aq të rëndësishëm si normat e lindshmërisë dhe migrimi i brendshëm. Për sa i përket emigracionit ai ka qenë një faktor i rëndësishëm i cili ka ndikuar në rënien demografike të rajonit edhe pse deri në dekadën e fundit nuk ka qenë aq shqetësuese sa vitet e fundit. Në bazë të Judah kjo lidhet me faktin që emigrimi po kombinohet me faktorin e uljes drastike të lindshmërisë në rajon e cila nuk ka qenë një element i rëndësishëm në dy dekadat e para të tranzicionit post-komunist. Nëse i referohesh Institutit të Statistikave të të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor vit pas viti ato raportojnë statistika shqetësuese për sa i përket rënies së numrit të lindjeve.
Nëse në dy dekadat e para rajoni paraqiste përgjithësisht karakteristikat klasike demografike të vendeve të varfra ku emigracioni masiv kompensohej nga norma të larta pjellorie. Ajo që po shikohet me shqetësim në Ballkanin Perëndimor është fakti që në vitet e fundit po shfaqen karakteristika demografike të vendeve të pasura si rënie të pjellorise dhe një popullsi me tendencë plakjeje ku mosha mesatare po i afrohet asaj të vendeve të Europës Perëndimore.
Edhe faktori i migrimit të brendshëm është një fenomen i cili ka pësuar rënie drastike. Qytetarët e këtyre vendeve nuk preferojnë të bëjnë kalimin klasik nga fshatra në qytete dhe nga qytetet në kryeqytet, por tashmë tentojnë emigrimin në qytetet europiane.
Nëse do të analizonim rastin e Shqipërisë, në bazë të Institutit të Statistikave (INSTAT) në katër vitet e fundit vërehet një përgjysmim i asaj që përkufizohet si shtesa natyrore , dmth diferenca midis numrit te lindjeve me numrin e përgjithshëm të vdekjeve vazhdon të jetë një shifër në ulje. Ndërsa emigrimi për periudhën 2014-2018 paraqet një ulje të lehtë.
Megjithatë ndonëse fenomeni i emigracionit është një faktor konstant për sa kohë dallimet në të ardhurat për frymë dhe standardit të jetesës midis vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Europës Perëndimore do të vazhdojnë të jenë në këto nivele, njerëzit do të kenë arsye për të emigruar. Përpos arsyeve ekonomike shumë qytetarë nga këto vende emigrojnë edhe për arsye të tjera si socialo-politike. Arsimi, shëndetësia apo shërbimet listohen si arsye pse qytetarët vendosin të largohen nga vendet e tyre në drejtim të vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore ku karakterizohen nga qëndrueshmëria dhe cilësia në ofrimin e këtuyre shërbimeve.
Për sa i përket asaj që rekomandohet për qeveritë e këtyre vendeve është që të punohet me politika të mirëfillta për të ndalur uljen drastike të popullsisë. Politika për rritjen e punësimit të të rinjve është një nga masat më urgjente dhe të domosdshme për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor që po përjetojnë fenomenin e plakjes së shoqërisë. Inkurajimi me politika specifike për rritjen e normave të lindshmërisë është një tjetër rekomandim i ekspertëve për shoqëritë të cilat shfaqin karakteristika të uljes demografike. Per Ballkanin Perendimor ky aspekt duhet te analizohet me seriozitetin e duhur per te shmangur pasojat ne ekonomite e brishta te ketyre vendeve.