Regjisori Pëllumb Kulla në emisionin “Kjo Javë”, në News24 foli për marrëdhëniet e tij me politikanët.
Kulla tha se me ish-kryeministrin Sali Berisha ka pasur marrëdhënie të mira e të sinqerta. Por, sipas tij, me kalimin e kohës disa gjëra nuk shkuan mirë dhe marrëdhëniet u ndanë.
Më tej, ai zbuloi dhe emrat e disa politikanëve, që e kanë uruar për 8o-vjetorin. Në vecanti Mjeshtri i humorit, tha se telefonata e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për ditëlindjen e tij, e ka gëzuar pa masë duke e bërë të ndihet i privilegjuar.
Pjesë nga intervista:
Dua mendimin tuaj mbi disa figura që janë në politikën shqiptare. Çfarë marrëdhënie keni pasur me ish-kryeministrin Berisha?
Kam patur marrëdhënie të mira, e të sinqerta. Ai nuk më ka dhënë asnjëherë ndonjë porosi, që të ishte në kundërshtim me dëshirën tim. Ishin marrëdhënie shumë të ngrohta. Me kalimin e kohës, pamë që disa gjëra nuk shkonin mirë, ndaj dhe qëndrimet e marrëdhëniet tona u ndanë. Unë nuk e kam problemin vetëm ndaj Berishës, për gjithë klasën politike jam shprehur shumë. Është një temë shumë e rëndë për të treguar se aty Shqipëria ka nevojë të ketë një kapërcim cilësor shumë të mirë.
Po me kryeministrin Rama, pse nuk erdhi në 80-vjetorin tuaj?
Po po, mora urime prej tij, dhe nga kryetari i Bashkisë Erion Veliaj. Por në mënyrë të veçantë do të veçojë telefonatën e Presidentit i Republikës z.Ilir Meta, i cili duke qenë edhe Kreu i Shtetit më gezon pa masë, më bëri të ndjehem krenar dhe të jem i privilegjuar. Rama nuk ishte por unë e pranoj se kryeministrit mund t’i dalin punë më të rëndësishme se sa për një përvjetor edhe për një person i cili ka kontribuar shumë për heroin e vendit por ne do të takohemi dhe do të sqarojmë edhe pse-në që nuk ishte. Më uroi për 80-vjetorin, edhe Veliaj, Bamir Topi, e politikanë të tjerë, Luan Rama, etj. Kryeministri nuk ishte për arsye, që, unë nuk e pranoj, që atij mund t’i dalin punë të rëndësishme. Por, ai nuk ishte për fat të keq, por do takohemi dhe do ta shprehim edhe ‘pse-në’.