Bundestagu gjerman, Rama dhe Basha….

Nga Kastriot Islami 

Bundestagu (parlamenti) gjerman i ka vendosur Shqipërisë 9 kushte për hapjen e negociatave. Po cilat janë këto 9 kushte? Cili është kuptimi i tyre? Ç’do të thotë të plotësohen këto 9 kushte? Cila ngarkohet më shumë, maxhoranca apo opozita, me plotësimin e këtyre 9 kushteve? A do të hapen negociatat nëse (nuk)plotësohen këto 9 kushte? E tjerë e tjerë. Së fundmi, a mjafton që të plotësohen 9 kushtet për hapjen e negociatave?

Cilat janë kushtet e Bundestagut gjerman?

Sipas burimeve të DW, bëhet fjalë për 9 kushtet e mëposhtme që duhet të plotësojë Shqipëria në mënyrë që Gjermania të hapë dritën jeshile për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE:

a) Për zgjedhjet e mëparshme të 2017 dhe 2019: 1) ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave; 2) sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese të ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

b) Për zgjedhjet e ardhshme: 3) miratimi i reformës zgjedhore; 4) implementimi i reformës zgjedhore.

c) Për reformën në drejtësi: 5) vënia në punë e prokurorisë speciale (SPAK) për luftimin e korrupsionit; 6) funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; 7) ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që s’e kanë kaluar provimin e Vettingut; rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapjen dhe ndjekjen penale e personave kyç të krimit (‘peshq të mëdhenj’).

d) Për reformën në administratën publike: 9) përparime në reformën e administratës publike.

Cili është kuptimi i këtyre kushteve?

Bundestagu gjerman kërkon përmes plotësimit të këtyre 9 kushteve të ndihmojë për zgjidhjen e krizës së thellë e shumëpërmasore që ka kapluar vendin. Po të lexohen integralisht këto 9 kushte, rezulton se zgjedhja e krizës kalon përmes kapërcimit të 9 pengesave:

  • Ndjekja penale e ndëshkimi eventual i të gjithë përgjegjësve të manipulimit të zgjedhjeve (konkretisht hetimi i dosjeve 184 e 339 të krimit elektoral në zgjedhjet e mëparshme).
  • Sqarimi përmes Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve të 30.06.2019 duke i hapur rrugë edhe zgjedhjeve vendore të parakohshme.
  • Hartimi dhe miratimi me konsensus të gjerë politik i të gjithë ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.
  • Zhvillimi i zgjedhjeve vendore e të përgjithshme, të lira e të ndershme dhe eventualisht të parakohshme.
  • Ngritja dhe vënia në punë e SPAK.
  • Ngritja edhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i Gjykatës së Lartë,
  • Ndjekja penale i prokurorëve dhe gjyqtarëve që s’kaluan vetingun.
  • Ndëshkimi i “peshqëve të mëdhenj” të politikës, personave kyç të krimit dhe lidhjeve të tyre.
  • Progres në zbatimin e reformës në administratën publike.

Përgjegjësitë e Qeverisë dhe të opozitës për plotësimin e kushteve?

Kusht i drejtëpërdrejtë për opozitën është vetëm pjesëmarrja deri në përfundim të reformës zgjedhore, ndërkohë që edhe në këtë rast përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë.

Kurse për realizimin e 8 kushteve të tjera ngarkohet/detyrohet kryesisht dhe/ose vetëm qeveria. Mosrealizimi i njërës, disave apo të gjithë këtyre 8 kushteve ngarkohet me përgjegjësi kryesisht dhe/ose plotësisht qeveria.
Çfarë ndodh nëse (nuk)plotësohen këto kushte?

Këto 9 kushte përbëjnë kërkesa të nevojshme dhe të mjaftueshme për palën gjermane; në kuptimin që nëse ato plotësohen, pala gjermane voton pro hapjes së negociatave të BE me Shqipërinë, ndërkohë që nëse edhe 1 prej tyre nuk plotësohet, Gjermania voton kundër hapjes së negociatave të BE me Shqipërinë.

Kurse për Këshillin Evropian, i cili merr vendim me konsensus për hapjen e negociatave me Shqipërinë, duhet pasur parasysh se 9 kushte janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme; kjo do të thotë që edhe nëse plotësohen këto 9 kushte, mundet që ndonjë vend i ndryshëm nga Gjermania për arsye të tjera të mos votojë pro hapjes së negociatave së BE me Shqipërinë, kur ai vend gjykon kushti i vendosur prej tij nuk është plotësuar.

Bundestagu gjerman, Rama dhe Basha….

Pas vrasjes në Tiranë, plagoset rëndë një

Bundestagu gjerman, Rama dhe Basha….

14 vite pas vdekjes, momenti kur Ibrahim

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko