Meta në Izrael, pritet në takim nga Presidenti Rivlin: Populli shqiptar, model unik për botën

0
176

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ndodhet sot në Izrael, ku në vizitën e parë zyrtare të tij u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin.

Presidenti Meta e falenderoi homologun izraelit për ftesën për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Liderëve për të përkujtuar Ditën e Kujtesës së Holokaustit dhe 75-vjetorin e Çlirimit të kampit të Aushvitz-Birkenau.

“Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi ku numri i hebrenjve jo vetëm u shumëfishua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjë prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve”, – vuri në dukje Kreu i Shtetit shqiptar.

Ndërsa Presidenti Rivlin nënvizoi se “shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve përbën një model unik për të gjithë botën”.

Gjithashtu, Presidenti Meta vuri në dukje faktin se Shqipëria dhe Izraeli gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë.  “Ne do të jemi bashkë, edhe në përpjekjet për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar”, – nënvizoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë.

“Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve, si dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike,” – theksoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit e falënderoi homologun izraelit për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, vlerësoi operacionet e kërkim-shpëtimit izraelite që erdhën menjëherë pas tërmetit, si edhe punën e grupeve të specializuara për vlerësimin e ndërtesave të dëmtuara. “Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit gjatë atyre ditëve”, – u  shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Meta e ftoi Presidentin Rivlin për një vizitë në Shqipëri.

“Do të jetë kënaqësia ime”, shtoi ai – “të jem Presidenti i parë i Izraelit që viziton vendin tuaj aq mikpritës për ne”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here